Propozimi i dy deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani dhe Arben Gashi për zgjidhjen e problemit rreth kufirit me Malin e Zi megjithëse është përshëndetur nga analistët dhe partitë opozitare, këto të fundit nuk heqin dorë nga qëndrimet e tyre të mëparshme.
Osmani dhe Gashi ditë më parë kanë propozuar që të arrihet një marrëveshje mes subjekteve politike, marrëveshje kjo e cila pastaj do të shndërrohet në rezolutë të Kuvendit- në mënyrë që institucionet e Bashkimit Evropian të votojnë për liberalizimin e vizave pasi të ratifikohet demarkacioni.
Lidhur me zgjidhjen e çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë për Telegrafin se propozimi i Visar Ymerit është zgjidhja më e mirë.
“Së pari më duhet te them se ne ende nuk e kemi propozimin e shkruar dhe detajuar se çfarë përmban ajo rezolutë e Kuvendit. Ju e dini që më 27 shtator, përmes një konference për medie, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka paraqitur 5 pika të cilat dërgojnë deri te zgjidhja për situatën aktuale dhe çështjen e demarkacionit. Deri më tani, sikur edhe gjitha propozimet tjera, edhe kjo, është injoruar nga Qeveria e Isa Mustafës. Ky propozim është zgjidhja më e mirë për këtë sepse në pikën 2 të tij thuhet të formohet një komision partiak e mbipartiak për këtë çështje”, ka thënë Haxhiu.
Në anën tjetër shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se angazhimi i secilit, për të gjetur zgjidhje e për të rregulluar problemin e marrëveshjes së demarkacionit, duhet të përshëndetet e të mirëpritet.
“Edhe angazhimi i deputetëve në fjalë është i mirëseardhur, sepse kjo tregon që jo vetëm qytetarët, opozita dhe ekspertët janë kundër këtij versioni të demarkacionit, por edhe deputetë të mazhorancës të cilët po angazhohen konkretisht në zgjidhjen e këtij ngërçi”, ka thënë Lekaj për Telegrafin.
Lekaj ka theksuar se procesi i liberalizimit të vizave do të duhej të përfundojë pa marrë parasysh problemit të demarkacionit, e kjo për faktin se nëse vazhdohet sipas tij të qesin kushte të tilla BE-ja, kjo çështje do të mbetet pafundësisht e pa zgjidhur, dhe do të ishte padrejtësi e madhe për njerëzit e Kosovës, që kanë mbetur në geto, të vetmit në rajon.
“Si Aleancë e kemi thënë shumë herët që partitë politike parlamentare do të duhej shumë kohë më parë t’i drejtoheshin instancave me të larta vendimmarrëse të BE-së që tema e demarkacionit të hiqej nga kushtet për liberalizimin por me kushtin që kjo çështje të zgjidhej në afatin me optimal, pa e dëmtuar Kosovën.
Deputetët e AAK-së, në Kuvendin e Republikës së Kosovës e kanë ngritur shqetësimin e mos implementimit të rezolutave që i ka nxjerrë ndër vite Kuvendi i Kosovës, një të tillë e kemi edhe për demarkacionin, por që është anashkaluar nga qeveria duke mos u përfillur kërkesat e Kuvendit”, u shpreh Lekaj, duke shtuar se është e kotë të flasësh me këtë qeveri përmes rezolutave.
Më tej, Lekaj ka theksuar se nëse në atë rezolutë do të thuhet që ky version i demarkacionit do të kthehet në pikën zero dhe do të shkarkohet Komisioni qeveritar për demarkacionin, e të fillonte gjithçka nga fillimi, do të shikohet mundësia e mbështetjes së asaj rezolutë.
“ Qëndrimi ynë është i njohur, asnjë propozim i cili nuk e shpallë të pavlefshëm këtë draft të demarkacionit, nuk e ka përkrahjen tonë. Ne jemi falënderues për të gjithë ata që janë angazhuar në vazhdimësi që ky version të mos kalojë e të mos jetësohet, por konsiderojmë që ende ka nevojë për unitet të qytetarëve, ekspertëve e të deputetëve pa dallim, që të mos lejojmë befasi nga qeveria e Komisioni i saj lidhur me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”, tha Lekaj.
Për dallim nga Vetëvendosje e AAK, Nisma për Kosovën ka thënë se nuk i komenton qëndrimet individuale.
“Sa i përket çështjet së demarkacionit Nisma për Kosovën e ka qëndrimin e saj tash e sa kohë publik, prandaj nuk mund t’i komentojë qëndrimet individuale”, ka thënë shefja e GP-së të Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami.
Ndërkaq deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi i cili ka qenë më i zëshmi sa i përket kundërshtimit të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ka mbështetur propozimin e dy bashkëpartiakëve të tij.
“Çdo propozim për ruajtjen e territorit dhe dalje nga situata është e pranueshme”, ka thënë shkurt për Telegrafin, Bulliqi. Në anën tjetër edhe analisti Imer Mushkolaj ka mbështetur propozimin për rezolutë të Vjosa Osmanit e Arben Gashit.
Mushkolaj ka theksuar se demarkacioni duhet të zgjidhet me pajtimin e të gjitha palëve, qoftë edhe nëpërmjet një rezolute.
“Zgjidhja duhet të jetë e atillë që t’i hapë rrugë liberalizmit të vizave. Është e domosdoshme që çështjes së demarkacionit t’i jepet një përgjigje, qoftë edhe duke e lënë të hapur mundësinë për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë Mushkolaj për Telegrafin.
Rezoluta e propozuar nga Vjosa Osmani e Arben Gashi do të përmbante disa pika të cilat do të çojnë drejt një zgjidhje të duhur për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Osmani sot ka treguar për Telegrafin se është propozuar që të gjitha forcat politike të negociojnë tekstin e një Rezolute dhe ta përkrahin me votë.
“Një Rezolutë e tillë do të përmbante: Përkushtimin që procesi i demarkacionit me Malin e Zi të përfundojë sa më shpejtë; të caktohet afati brenda të cilit do të rinegociohej me këtë shtet; të përcaktohet afati për zgjidhje të tjera alternative (p.sh arbitrazh, nëse rinegociimi nuk ka sukses); dhe, të rikonfirmohej përkushtimi që të arrihet marrëveshje në mirëbesim duke ruajtur raportet e fqinjësisë së mirë”, ka thënë ajo.