Hashim Thaçi muajin e ardhshëm i bën tre vjet prejse është zgjedhur president i Republikës së Kosovës. Edhe pas përfundimit të gjysmës së mandatit të tij ai nuk ka arritur ta luajë rolin e unifikuesit. Madje së fundi është parë në takime me ish-bashkëpartiakët e tij (PDK), të cilët kanë aktakuza të ngritura nga Prokuroria, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Forma se si presidenti i Kosovës kishte marrë mandatin më 2016-n, sipas deputetes së LVV-së Albulena Haxhiut, tregon më së miri se ai nuk përfaqëson unitetin e popullit.
“Mënyra sesi është zgjedhur presidenti Thaçi, në njërën anë me tytat e armëve të drejtuara qytetarëve dhe me burgosje të deputetëve opozitarë, ka qenë dëshmia se ky person nuk përfaqëson unitetin e popullit, siç do të duhej të ishte dhe siç parashihet me Kushtetutën e vendit”, ka deklaruar ajo.
Haxhiu ka deklaruar se kreu i shtetit nuk e ka as mbështetjen e shumicës së deputetëve të Kuvendit. Një gjë e tillë sipas saj është dëshmuar në seancën e fundit, ku presidenti u është drejtuar deputetëve, në të të cilën, siç ajo është shprehur, nuk kishin qenë prezentë as 40 deputetë gjithsej.
“Thjesht është në pozicionin më të ulët politik. Fatkeqësisht Kosova ka një president që është figurë përçarëse, i cili nuk ka zgjedhur mjet për ta luftuar opozitën dhe në anën tjetër qëndron me të dyja këmbët në PDK dhe jo vetëm kaq. I njëjti e ka futur vendin në një rrugë pa krye me aventurat e tij të rrezikshme e personale, prandaj as qytetarët dhe as Kosova nuk e meriton një person të tillë”, ka nënvizuar deputetja e LVV-së gjatë një prononcimi për “Zërin”.