Grupet parlamentare të LDK-së, Lëvizjes Vetëvendosje, PSD-së dhe dy deputetëve të pavarur, Mimoza Kusari-Lila dhe Ilir Deda, kanë bërë kërkesë që të enjten të mbahet një seance e jashtëzakonshme për ratifikimin e Marrëveshjeve Ndërkombëtare.
“Duke pasur gjithnjë për qëllim mirëqenien e qytetarëve të vendit të cilët do të përfitojnë nga ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare në mes të BE-së dhe Kosovës dhe duke respektuar partneritetin e Kosovës me BE-në, kanë dorëzuar sot kërkesën me të cilën kërkojnë thirrjen e seancës së jashtëzakonshme në të cilën kërkohet të ratifikohen këto marrëveshje ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e LDK-së.
Deputetët opozitarë kanë vlerësuar se me marrëveshje Kosovës i mundësohet qasje në 17 programe dhe për këtë shkak ata kanë thirrur seancë për ta bërë ratifikimin e kësaj Marrëveshje.
“Asistencat e Bashkimit Evropian në procesin e integrimit evropian të Kosovës e posaçërisht asistenca në përmbushjen e obligimeve të dala nga MSA-ja, siç janë asistencat që rrjedhin nga ratifikimi i Marrëveshjes së IPA-së që sjell 48 milion euro për Kosovën, Programi “ Evropa për qytetarët” i cili mundëson Kosovës qasje në më se 17 programe të BE-së, si dhe asistenca në platformat mbështetëse të IT dhe mbështetja në reformën e politikave për arsim dhe rini që parasheh Programi “ Erasmus +”, deputetët e nënshkruar vlerësojnë se ratifikimi i tyre duhet të ndodh sa më parë”, thuhet në njoftimin e LDK-së.