Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në mbledhjen e pestë të Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit BE-Kosovë, kritikoi qëndrimet e presidentit Thaçi lidhur me shkëmbimin dhe korrigjimin e territoreve.
Ai tha se fillimisht u fol nga presidenti Thaçi se Kosova nuk ka vija të kuqe me Serbinë, ndërsa ,sipas tij, koncept i dytë ka qenë shkëmbimi i territoreve, kurse tash është zbutur në korrigjim të kufirit.
“Më 28 qershor, presidenti jonë ka thënë se nuk kemi vija të kuqe me Serbinë. Koncepti i dytë ka qenë shkëmbim i territoreve, më vone është zbutur dhe tash po përdoret si korrigjim. Ndërsa nga Koçijançiq po përdoret si rregullim i kufijve. Kjo ka shkaktuar disa dilema dhe shqetësime në jetën politike të Kosovës”.
Konjufca vlerësoi se asociacioni rrezikon Kosovën, raporton Ekonomia Online.
“Ne do të sigurohemi që të mos ketë gabime pa u krijuar një konsensus nacional se si të ndodhë dialogu tutje. Deri tash e kemi marrë një mësim që nuk duhet të vazhdojmë kështu”.
Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, deklaroi se shtetësia e Kosovës është rikonfirmuar jo vetëm me deklaratën e pavarësisë, por edhe me 116 kombet që kanë njohur atë si shtet dhe vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.
Ajo shtoi se hapja e çështjes së kufijve rrezikon Kosovën dhe do të kishte efektin domino edhe te vendet e tjera, raporton EO.
Ajo ka kërkuar garancë politike dhe ligjore për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë.
“Do të ketë efekt domino për Ballkanin Perëndimor, sepse ka shumë shtete që pajtohen me ne se logjika e ndarjeve është e shekullit të 19. Neve na duhen garanca politike dhe ligjiore për marrëveshjen që do të arrihet”.