Opterusha që dy javë problem me energji, banorët paralajmërojnë protesta

Rahovec | 28 Dhj 2024 | 09:01 | Nga Ekonomia Online

Banorët e fshatit Opterushë të Rahovecit tash e dy javë po përballen me mungesë të madhe të energjisë elektrike. Disa banorë të këtij fshati thanë për Ekonomia Online se si pasojë e mungesës së energjisë elektrike, po kanë telashe edhe me ujë të pijshëm.

Banorët thonë se edhe ku ka energji elektrike, ajo nuk është stabile, reduktimet janë të paplanifikuara, ndërsa ngrohjen e bëjnë më dru. Situatën e krahasojnë me një shtet afrikan.

Ejup Kabashi, banor në këtë fshat ka thënë për Ekonomia Online se defektet janë të shpeshta, sado të fryjë erë e lehtë. Ai ka thënë se si pasojë e mungesës së energjisë, u është vështirësuar edhe jetesa.

Të dëshpëruar ka thënë se janë edhe mërgimtarët të cilët kanë ardhur në Kosovë këtë fundvit.

“Po tani veçse nuk ka kufizim për reduktime edhe pse ka një energji të kufizuar, fare nuk ka ngrohje, fare nuk ka ujë të pijshëm pra gjithmonë kemi probleme të tilla si fshat dhe si regjion këndej pari. Po të ishte një furtunë sado e vogël, gjithmonë ka me pas defekte ku mungesa e energjisë elektrike vazhdon me ditë, ndërsa tani është tmerr thuajse gjendje emergjente. Të gjithë mërgimtarët që kanë ardhur janë të dëshpëruar me këtë gjendje për arsye të mungesës së energjisë e ujit të pijshëm. Pra jeta është vështirësuar në masë të jashtëzakonshme dhe po përballemi thuajse që dy javë me këtë gjendje që jemi me energji që na mungon çdo ditë për gjëra elementare”, ka thënë Kabashi.

Kabashi ka thënë se ky fshat nuk ka mungesë të trafo-stacioneve, pasi ekzistojnë gjashtë të tilla, veçse furnizimi është goxha problem. Kritika kanë edhe në adresë të Qeverisë.

“Nuk mendoj, sepse trafo-stacione ka kapacitete me furnizua. Diku janë gjashtë trafo të cilat mendojmë që ka kapacitet me furnizua mirë, mirëpo mungesa nga qendra që bëhen lojëra të ndryshme dhe mos-përgjegjësia totale e kushdo qoftë përgjegjës, mendoj duhet të marrin masa emergjente”, u shpreh tutje Kabashi teksa tregoi edhe për veprimet që do t’i ndërmarrin nëse kjo gjendje përsëritet.

“Detyrohemi t’i shkëpusim këto linja ose të bëjmë zgjidhje tjetër. Protestë patjetër, besoj që do të bëhet një protestë që të sensibilizohet Qeveria dhe njerëzit kompetent. Por bëjmë apel Qeverisë që të kujdeset për qytetarin sepse ka marrë vota për t’u kujdesur. Në këtë rast fare nuk ka përkujdesje, është vështirë të paramendohet se si po jeton ky fshat në këtë gjendje të mjerueshme”, deklaroi ai.

I frustruar me këtë gjendje është shprehur edhe një banor tjetër. Bahrudin Spahiu ka thënë për Ekonomia Online se familjarë të tij i kanë hedhur gjërat ushqimore pasi ato janë prishur si pasojë e mungesës së energjisë elektrike.  

“Përbesë tmerr është, jashtëzakonisht jemi të pakënaqur, jashtëzakonisht. Nuk e di çfarë po ndodh. E kemi tensionin e lartë prej vitit 1966 që është vendosur nga Rahoveci e këtu, dikund kanë rënë shtyllat elektrike, tensioni është tmerr. Djali i mixhës ka blerë harxh familjarë 300 euro që ka ardhë prej Gjermanisë, i ka hedhur dje, sepse nuk punon shporeti i rrymës asgjë nuk punon. Nëse vini tek unë, e shihni se çfarë rrymë ka, Bangladesh jemi”, deklaroi ai.

“Unë personalisht me dru po ngrohemi edhe pse i kam klimat janë por asnjë nuk bën (edhe kur ka energji elektrike)”, u shpreh tutje ai.

Të ngjashme