Orar i tejzgjatur e presion në punë, gazetarët në Kosovë përballen me shkelje të shpeshta

Prishtinë | 23 Mar 2026 | 14:20 | Nga Ekonomia Online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Iniciativa Kosovare për Stabilitet kanë prezantuar manualin “Të drejtat e punonjësve të medias: Nga ligji te praktika” dhe një broshurë informuese për zbatimin e të drejtave në praktikë, duke theksuar se gazetarët në Kosovë përballen me shkelje të shpeshta të të drejtave të punës, raporton Ekonomia Online.

Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit të punës, Vesel Zhinipotoku, deklaroi se nga inspektimet e deritanishme janë evidentuar tejkalime të orarit të punës, mangësi kontraktuale dhe çështje që lidhen me pagesat.

“Nga të gjeturat e deritanishme kemi arritur që edhe në media gazetarët në këtë rast hasin raste të shpeshta ku u cenohen të drejtat, duke përfshi punën jashtë orarit në shumicën e rasteve, punën që bëjnë gjatë vikendeve apo festave zyrtare, gazetarët janë çdoherë aktivë. Mirëpo duhet të ketë parasysh se dispozitat e ligjit janë obligative të respektohen. Ne kemi konstatuar se ka mangësi dhe u cenohen të drejtat. Një fokus i veçantë i kushtohet edhe veshjes së sigurisë, gazetarët janë çdo kund, edhe në pozicione ku cenohet edhe jeta e tyre, sidomos në ngjarje të jashtëzakonshme, p.sh. në Veri ku ka pasur atakim të drejtpërdrejtë. Ne kërkojmë edhe në vazhdimësi kemi kërkuar nga mediumet që gazetarëve dhe stafit tjetër t’u krijohen kushtet, t’u vlerësohet rreziku. Numri i mediave të inspektuara, shumica e tyre vërejmë që ka tejkalime sidomos të orëve të punës, pastaj edhe te pagesat janë çështje edhe kontraktuale. Ne kemi obligim që të shikojmë nivelin e zbatimit të pagës minimale dhe pagesat që bëjnë punën e njëjtë”, theksoi ai.

Drejtoresha ekzekutive e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Getoarbë Mulliqi, tha se mungesa e një sindikate gjithëpërfshirëse e vështirëson mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve.

“Gazetarët dhe mediat janë të zorëshme të punojnë brenda vendeve të punës. Nuk kanë një sindikatë gjithëpërfshirëse, të vetmet janë brenda televizionit publik. AGK detyrohet të luajë edhe rolin e sindikatës. Puna e sindikatës është shumë specifike dhe kështu bie barra mbi bordin dhe përfaqësuesit tonë ligjorë”, tha ajo.

Nga ana tjetër, Brikena Berisha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet tha se hulumtimet kanë treguar se punëtorët e medias i shohin gazetarët si kanal të sigurt për raportimin e shkeljeve, çka ka nxitur bashkëpunimin për përgatitjen e manualit.

“Në hulumtim na ka dalë se punëtorët, nëse vendosin me i raportu shkeljet, gazetarët dhe mediat mbesin një pjesë e sigurt për ta. Padyshim nga kjo e gjetur e jonë filloi bashkëpunimi me AGK, një bashkëpunim profesional, ku gjatë rrugës ne filluam të mendojmë lidhur me trajnimin e gazetarëve me raportimin. Si ka mundësi me u raportu kur ka mungesë njohurish të gazetarëve dhe ka shkelje të drejtave të punës në këtë sektor. Padyshim që është koha të fillojmë të flasim në sektorin e gazetarisë për orët e gjata të punës, punë në presion, linçim në publik, aspektin mental, ngacmimin seksual”, tha Berisha.

Në këtë aktivitet foli edhe gazetarja Iliri Pireva, e cila tregoi përvojën e saj lidhur me presionin në vendin e punës.

“Që nga momenti që është dorëzuar peticioni nga desku informativ, unë kam dërguar në kushte normale ajo kërkesë është dashur të trajtohet e bashkëbisedohet. Prej atij momenti ka filluar një presion ndaj meje. Fillimisht ishte 17 shkurti kur moderatorët në atë kohë bënin promo, të gjithë u ftuan vetëm unë jo, shihja një atmosferë që nuk më flisnin ose një sjellje jo normale. Isha në një situatë që vetëm prisja vendime, sponsorët ndërprisnin kontratat vetëm me mua. Prisja vazhdimisht këtë lloj presioni derisa m’u tha të nënshkruaja një kontratë, edhe pse nuk e pranoja se kisha angazhime shtesë me pagën që punoja në atë kohë dhe kërkoja që me angazhime shtesë të paguaja. Pas një jave më thanë se je në një komision disiplinor që u formua për mua. Largimi prej punës me ligjin e punës së paku një muaj i duhet të informojë punëdhënësi punëtorin, mirëpo kjo nuk ka ndodhur”, tha ajo.

Të ngjashme