Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka publikuar raportin “Konfuzioni i Madh – Pse nuk përputhet veprimtaria e institucioneve të Arsimit të Lartë me nevojat e tregut të punës”.
Ky raport trajton përputhshmërinë e rezultateve të të nxënit në katër programe (Banka, financa dhe kontabilitet; Elektroenergjetikë; Inxhinieri Kompjuterike; Gazetari) me nevojat e tregut në këto katër fusha.
Në hulumtim janë përfshirë studentët, profesorët, menaxhmenti i fakulteteve respektive dhe i Universitetit të Prishtinës, zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, dhe përfaqësues të kompanive të fushave respektive.
Gjysma e studentëve të anketuar kanë shprehur që nuk janë informuar paraprakisht për aftësitë të cilat do t’i mësojnë në programet e studimit që kanë zgjedhur. Ata që janë informuar, kanë thënë që burimi kryesor i informacionit ka qenë familja, e shumë pak janë informuar nga profesorët dhe institucionet.
Të gjeturat kryesore nga hulumtimi tregojnë që pritshmëritë e studentëve për aftësitë që do mësojnë janë në përputhje me rezultatet e të nxënit, por këto nuk arrihen plotësisht në fund të studimeve. Po ashtu, asnjë nga institucionet e përfshira në raport nuk bëjnë matje të vazhdueshme të punësimit të studentëve të diplomuar në fushën e tyre.
Raporti thekson që strategjitë zhvillimore të deritashme në Kosovë nuk kanë vizion të qartë e konkret për zhvillimin e venit. Si rrjedhojë, institucionet që lidhen me arsimin e lartë si Agjencia për Akreditim dhe universitetet publike nuk munden të përpilojnë politika të detajuara për programe specifike. Bizneset janë komplet jashtë arsimit të lartë, dhe ankohen që nuk ka punëtorë për punët që ofrojnë ata.
85% e studentëve të Gazetarisë kanë thanë se “e kanë arsimin e duhur” për me kry punën e gazetarit, të ndjekur prej 65% të studentëve të bankave dhe financave. 57% e studentëve të inxhinierisë kompjuterike besojnë që e kanë arsimin e duhur, ndjekur nga 63% e studentëve të elektroinxhinerisë.
Ndërkohë, 46% të studentëve të inxhinierisë kompjuterike nuk e dinë çfarë aftësi kërkohen nga punëdhënësit, të ndjekur nga 42% e elektroninxhinerave, 37% e studentëve të banka, financa dhe kontabilitet, dhe 26% e studentëve të gazetarisë të cilët nuk e kanë këtë informacion.
Kjo shpërputhje mes përgjigjeve të studentëve dhe profesorëve të tyre dhe çka thonë bizneset që ju duhen aftësitë e tyre për punë ndodhë sepse komunikimi Qeveri – treg i punës; komunikimi Agjenci e Akreditimit – treg i punës; komunikimi Universitet – biznese, për me pa konkretisht çka po lypët në treg, nuk ekzistojnë.
Raporti tregon për hendeqe të theksuara mes institucioneve të arsimit të lartë dhe kompanive që punësojnë studentët e diplomuar nga këto institucione. Një bashkëpunim më i afërt përmes mekanizmave ekzistuese ose të reja është tejet i nevojshëm, në mënyrë që të mbyllen këto hapësira.