Nga 131 kandidatë që kanë aplikuar në konkursin e fundit të Universitetit të Prishtinës për avancim në titujt, profesor asistent, profesor i asocuar dhe profesor i rregullt, 74 nuk i përmbushin kriteret minimale të kërkuara nga Statuti i Universitetit të Prishtinës.
Këtë konstatim e ka dhënë Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), në “analizën e procesit të zgjedhjes së stafit akademik nga konkursi 3/671 2016-2017 në Universitetin e Prishtinës të publikuar të hënën”, shkruan sot Koha Ditore.
Nga këta 131 kandidatë 49 kanë aplikuar për titullin profesor asistent, 37 për titullin profesor të asocuar dhe 45 për titullin profesor i rregullt.
“57 janë vlerësuar pozitivisht duke arritur përmbushjen e kriterit minimal prej një, tre ose pesë punimesh, respektivisht për secilin titull akademik. Për secilin nga 74 kandidatët ORCA i ka dërguar raport të detajuar rreth gjendjes së publikimeve shkencore të tyre Senatit të UP-së. Nga 74 kandidatë të cilësuar si të papërshtatshëm për zgjedhje në titullin përkatës nga ORCA dhe të raportuar në Senat, 70 prej tyre nuk janë zgjedhur”, thekson ORCA.