Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka kohë që vazhdimisht ka publikuar ankesa në drejtim të Universitetit të Prishtinës përkatësisht të avancimeve “të paligjshme akademike”.
Mirëpo këtë herë ORCA ka prezantuar emrat e 23 profesorëve të cilët, sipas kësaj organizate, kanë merituar avancimet e bëra, raporton Ekonomia Online.
Përfaqësuesi i kësaj organizate, Durim Jasharaj iu ka bërë thirrje 23 profesorëve, emrat e të cilëve ishin të shkruar në një pankartë, e cila u vendos para objektit të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, që të bëhen bashkë dhe të ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë se Universitetit të Prishtinës.
“Ne sot këtu do të prezantojmë raste të cilat janë për përgëzim. Këtu kemi prezantuar 23 profesorë – asistentë të cilët janë avancuar në konkursin e fundit të cilin e ka shpallë Universiteti i Prishtinës, dhe ky është një lajm i mirë. Për neve është shumë e rëndësishme që të gjithë ata që janë vullnetmirë, të devotshëm brenda dhe jashtë universitetit që të angazhohen të gjithë së bashku në mënyrë që universiteti jonë të bëhet më i mirë dhe të ketë cilësi më të lartë”, tha ai.
Ndërsa Gramos Buçinca tha se pas këtyre raporteve presin që të rritet transparenca dhe llogaridhënia në arsim.