Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka organizuar tryezën e diskutimit me temën “Studentët përballë keqpërdorimeve financiare në universitetet publike”, raporton Ekonomia Online.
Në tryezë është publikuar “Borgjezia Akademike”, raport hulumtues që përfshinë një analizë të detajuar për të ardhurat personale të stafit të rregullt akademik në universitetet publike të Kosovës.
Gramos Buçinca, zëvendës drejtor i ORCA, tha se 90% e financave universitet publike i marrin nga taksat e qytetarëve, prandaj edhe është e nevojshme që të mbikëqyren.
“Qëllimi i tryezës së sotme është që studentët të japin input në zgjidhjen e problemeve te keqpërdorimit financiar në Universitet. Universitetet publike tona mbi 90 për qind financohen prej pareve të taksa paguesve pra më pak se 10 për qind ata gjenerojnë pare vet për nevojat e tyre”.
“Ndërkaq UP-ja qëndron pak më mirë se UP-ja i gjeneron 25 për qind të të hyrave. Kjo do të thotë që gjithë shoqëria kosovare duhet me qenë më e kujdesshme edhe të kontribuojë një mbikëqyrje më të madhe të financave në universitetet publike”.
Ai ka sqaruar se studentëve do tu prezantohet drafti i raportit mbi deklaratat e pasurisë të stafeve menaxheriale të universiteteve publike, kurse javën tjetër pritet publikimi i raportit final.
“Tryeza e sotme do të prezantojë para studenteve një draft raporti i cili është përpiluar mbi deklaratat e pasurisë të stafeve menaxheriale të universiteteve publike. Pra rektorët, dekanët e prodekanët janë të detyruar që përballë Agjencionit Anti-korrupsion të Kosovës të deklarojnë të hyrat e tyre. Nëpër ato të hyra janë pjesa ku ata marrin prej universiteteve edhe ne i kemi marrë i kemi hulumtuar deklarimet e tyre që me pa se sa ata marrin prej universiteteve sa marrin si pagë bazë sa marrin shtesë edhe si menaxhohet kjo prej universiteteve”.
“Javën tjetër po presim që raporti të merr formën përfundimtare do të jenë të dhëna ekskluzive nuk ka pasur të dhëna të tilla në nivel të Kosovës, poashtu mendojmë që institucionet e tjera sidomos ministria e financave dhe qeveria të merr mësim prej këtij raporti sepse është nëpër universitete shumica e mjeteve që jepen prej Qeverisë janë për paga e mëditje ndërkaq shumë pak ose fare hiç nuk jepet për shkencë, jepet diçka prej MAShT-it, por universitetet si të vetme nuk dhanë fond”.
Buçinca ka folur edhe për përmabjtjen e këtij raportit duke shtuar se shumica e buxhetit të universiteteve shkon për paga dhe mëditje, përderisa thotë se raporti student-profesor është shumë i madh, raporton EO.
“Pra edhe ato parë që i gjenerojnë ato vet edhe ato shkojnë në paga e mëditje, ndërkaq për ndonjë investim kapital ose diçka tjetër ata lypin fonde prej taksa paguesve. Përveç kësaj, profesorët nëpër universitete publike kanë mbi norma që i bien që ata mbajnë dyfishin e normës së tyre që e kanë në javë për shkak se siç thonë ata nuk ka kuadro”.
“Kjo e dëmton shumë cilësinë brenda mësimdhënies aty sepse siç e dimë raporti student- profesor është shumë i madh është 40 studentë për një profesor mesatarisht te disa universitete publike jashtë Prishtinës është edhe më i keq 100 studentë për një profesor. Pamundësohet ardhja e profesorëve të rinj ndërkaq ata që janë aty marrin pare më shumë”.