Organizata për Rritjen e Cilësisë së Arsimit (ORCA) ka prezantuar raportin final lidhur me integritetin akademik të Universitetit të Prishtinës.
Gjatë eventit u prezantuan për herë të parë të dhënat e përpunuara gjatë vitit 2018 për mosjustifikimin e titujve akademikë, raporton Ekonomia Online.
Rron Gjinovci nga ORCA gjendjen në Universitetin e Prishtinës e shpjegoi me historinë e Demokleut, i cili i ishte ankuar mbretit të tij, Dionisit, për pasurinë që ai kishte, kur mbreti i kishte ofruar Demokleut fronin e tij qe të provonte se sa e vështirë ishte të ishe mbret ku mbi kokën e mbretit ishte një shpatë që varej nga një fije e hollë, floku i kalit që rrinte mbi kokë si kërcënim duke e matur se sa do të durohej presioni i rrezikut që ishte e varur mbi kokë kjo shpatë.
“Ne jemi nën shpatë dhe kjo shpatë është cilësia e UP-së. Universiteti më i madh dhe më i mirë, të paktën i vlerësuar formalisht kështu, në të gjithë hapësirën shqipfolëse. Universiteti, historia e të cilit është aq e lidhur me historinë e vendit tonë në kuptimin e zhvillimit të tij. Universiteti që është projeksioni i së ardhmes së shoqërisë sonë nga ku do të dalin të gjitha profesionet, nga juristë e deri tek neurokirurgët, nga institucioni i cili prej sot projekton cilësinë e jetës sonë në të ardhmen për 20,30,40 vjetët e ardhshme”, tha Gjinovci.
“Këtë motiv për angazhimin shoqëror përmes hulumtimit e kritikës publike e kemi kthyer në synim që mëtojmë të përcjellim në gjithë shoqërinë kosovare. Të arrijmë një jetë me mirëqenie me gjithë rreziqet që mund të ketë rruga jonë drejt asaj mirëqenie”, shtoi Gjinovci.
Adea Kondirolli, autore dhe hulumtuese në ORCA, tha se menaxhmenti i UP-së duhet ta trajtojë seriozisht mungesën e punimeve shkencore në shumicën e fakulteteve.
“Në Universitetin e Prishtinës këtë vit janë identifikuar 1735 punime, përkundër vitit të kaluar 1320, përpjesëtuar me numrin e stafit akademik në 2018 që është 465 profesorë, del se një profesor në UP ka mesatarisht 3.7 punime, në vitin 2017 kjo mesatare ka qenë 2.7”, tha Kondirolli.
Kondirolli tha se profesorët e Fakultetit të Filologjisë kanë më së paku punime të publikuara me 0.92 punime për profesor dhe fakulteti me më së shumti punime është Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore me 8 punime për profesor.
“Nga 465 profesorë, 189 apo 41% i justifikojnë titujt sipas kriterit të punimeve shkencore në revista me koeficient, kurse 276 apo 59% nuk i justifikojnë titujt sipas kriterit të punimeve shkencore në revista me koeficient”, tha ajo.
Taulant Muka, mjek dhe shkencëtar nga Shqipëria, ka treguar për hulumtimin e tij kur kishte hasur në revista ku zëvendësministri i Arsimit në Shqipëri kishte bërë plagjiaturë. Ai kishte publikuar një shkrim në revistë duke marrë paragrafe nga publikimet e të tjerëve të njëjta ku kishte bërë plagjiaturë.
Kjo punë është vazhdimësi e analizave të vitit të kaluar ku pati dalë se 72% e profesorëve në Universitetin e Prishtinës nuk i justifikojnë titujt akademikë.