Orët analoge do të hiqen nga sallat e provimeve dhe do të zëvendësohen me ato digjitale pasi adoleshentët nuk dinë ta masin kohën me to, raporton The Telegraph.
Pajisjet digjitale pritet të vendosen në klasat e provimeve pasi nxënësit e nivelit GCSE dhe atij A, janë ankuar se e kanë të pamundur të masin kohën me orët analoge.
Profesorët kanë thënë se nxënësit duhet të jenë të relaksuar në provim dhe stresi nga mos llogaritja e kohës mund të ndikojë keq tek ata.
“Gjenerata e tanishme nuk është e mirë në leximin e orës tradicionale, për dallim prej gjeneratave më të vjetra”, ka thënë Malcolm Trobe, drejtor i Asociacionit të Shkollave.
“Ata janë mësuar që ta shohin orën digjitale nëpër telefona dhe kompjuterë. Të gjithë kanë orë digjitale prandaj të rinjtë janë të ekspozuar para saj në çdo vend”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se nxënësit e shkollës së mesme assesi nuk kanë mundur ta masin kohën me orët analoge.
Ndërrimi i orëve është propozuar si masë parandaluese që nxënësit të mos pyesin vazhdimisht për kohën gjatë provimeve.