Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Sylejman Selimit, sepse sipas tyre ai po mbahet padrejtësisht në burg.
Kjo organizatë e konsideron këtë proces politik duke thënë se sistemi i drejtësisë ndaj tij është hiq më pak së ‘politik, i padrejtë, injorues, aspak profesional dhe degradues për vet sistemin’.
“Është parë dhe tani më është e kuptueshme për secilin qytetar së Gjeneral Sylejman Selimi po mbahet padrejtësisht në burg, madje për mbajtjen e tij në burg nuk ka asnjë bazë juridike, sepse në të dyja rastet ku Gjeneral Selimi ka qenë i akuzuar, është shpallur i pafajshëm, si në rastin “Drenica 1” dhe “Drenica 2”. Ky proces është kryekëput politik. Prandaj sistemi i “drejtësisë” ndaj tij është hiq më pak së politik, i padrejtë, injorues, aspak profesional dhe degradues për vet sistemin. Këtë e vërteton publikisht dhe botërisht avokati i tij Tomë Gashi, avokatët tjerë të rastit dhe shumë njerëz profesionistë të vet sistemit të drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu përmes këtij njoftimi ata thonë se në fillim të javës do të njoftojnë për mënyrën dhe formën e protestave në mbrojtje të së drejtës për Sylejman Selimin dhe vlerave të luftës.
“Ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës të UÇK-së, bashkëluftëtarët e tij, shokët e luftës e të paqes, ushtarët e denjë të atdheut, njerëzit e mirë e të drejtë kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Gjeneral Sylejman Selimit, sepse jemi të sigurt në pafajësinë e tij, dhe, nga padrejtësitë e mëdha që po bëhen ndaj tij dhe luftëtarëve tjerë të lirisë, besimit dhe durimit tonë në këtë “drejtësi” i erdhi fundi! Në fillim të javës do të njoftojmë për mënyrën dhe formën e Protestave, ndoshta edhe të Demonstratave gjithëpopullore në mbrojtje të së drejtës për Gjeneralin dhe vlerave të luftës”, thuhet në njoftim.
Ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së e së fundmi ambasador i Kosovës në Shqipëri ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë më 27 maj 2015 dhe ishte dënuar më 6 vjet burg.