Organizata jo-qeveritare, QIKA, ka kërkuar nga përfaqësuesit politik përfshirjen e grave në skenën politike, në kohën kur vendi do të shkojë në zgjedhje.
Në mesin e kërkesave ka qenë që përveç kuotimit gjinor, gratë të përfshihen më shumë në listat e kandidatëve.
Njoftimi i plotë:
Angazhimi i grave në jetën politike është ndër betejat e domosdoshme në luftën për barazi e drejtësi shoqërore. Ky angazhim, i strukturuar edhe përmes partive politike, kërkon rritje të pjesëmarrjes së grave në zgjedhje dhe organizim. Në anën tjetër, po aq të rëndësishme janë qëndrimet partiake për barazinë gjinore e sociale. Nga e kaluara dimë që subjektet politike kanë bërë minimumin në këtë drejtim, dhe kjo ka qenë sa zhgënjyese aq edhe revoltuese.
Ne kërkojmë nga partitë garuese në këto zgjedhje që para dhe gjatë këtij procesi politik të kenë parasysh këto çështje:
• Aktualisht shumica e përfaqësuesve të partive politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë burra. Organizimi dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve janë tepër të rëndësishme dhe përjashtimi i grave nga ky proces është shkelje e rëndë. Partitë politike duhet që të angazhojnë sa më shumë vajza dhe gra si vëzhguese dhe komisionere. Nuk ka zgjedhje të drejta kur organizimi i tyre përjashton një grup shoqëror.
• Partitë politike duhet me çdo kusht të tejkalojnë kriterin ligjor që përcakton minimumin e përfshirjes së grave në lista zgjedhore. Fakti që asnjëherë të vetme nuk kanë kaluar 30 përqindëshin e kushtëzuar nga ligji, tregon mjaft për mungesën e përkushtimit të tyre në këtë çështje. Nuk ka listë të duhur nëse nuk ka barazi brenda.
• Vetëm një numër i vogël i grave në Kosovë janë të punësuara. Ngjashëm keq qëndron puna edhe me trashëgiminë e pronës. Gratë kandidate për deputete janë të pabarabarta ekonomikisht me burrat kandidatë. Partitë politike duhet që të kenë parasysh këtë kur ndajnë fondet për shpenzime të fushatës. Gratë duhet gjithsesi të jenë të pranishme në të gjitha materialet promovuese të partive që u takojnë. Ato kanë më pak dhe duhet të ndihmohen më shumë.
• Është e domosdoshme që në paraqitje publike gjatë fushatës të ketë sa më shumë gra politikane. Emisionet ku ulen vetëm burrat e partive dhe flasin nga pozicioni i kryefamiljarit janë të papranueshme për neve. Poashtu kërkojmë nga partitë politike që aktivitetet partiake t’i realizojnë në hapësira publike e jo në ato forma tradicionale ku gruaja nuk ka vend. Është e nevojshme që të dëgjohet zëri i grave.
• Çështjet që lidhen me barazi gjinore rrallë i kemi hasur në programet zgjedhore të partive politike deri më tani. Edhe në ato pak raste ku janë përmendur, janë trajtuar gabimisht. Në diskutimet politike duhet të dëgjojmë shpesh e shumë për shtypjen që përjetojnë gratë në Kosovë. Anashkalimi i nevojave të grave nga projektet politike është shkelje e madhe e të drejtave të tyre.
QIKA do të përfshihet në këtë fushatë zgjedhore përmes vëzhgimit, kritikës dhe analizave nga perspektiva feministe. Adresimi i çështjeve gjinore duhet të jetë pjesë e pandarë e proceseve politike. Nuk ka zhvillim shoqëror pa përfshirjen dhe angazhimin e grave!