Organizata Reporterët pa Kufinj dhe Federata Evropiane e Gazetarëve kanë kritikuar Komisionin për Media për intervisitimin e mbyllur për publikun të tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, raporton Gazeta Express.
Federata Evropiane e Gazetarëve në reagimin e tyre thotë se është e pakuptueshme se si intervistimi i tre anëtarëve të rinj të KPM-së është mbajtur sekret.
“Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) është shumë e shqetësuar për procedurën e përdorur nga Kuvendi i Kosovës për të emëruar tre anëtarë të rinj të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM). Ky komision ka një mision me interes publik dhe publiku ka të drejtë të dijë motivet dhe angazhimet e anëtarëve të tij. EFJ nuk e kupton pse ky proces emërimi u zhvillua në 13 dhe 14 korrik në fshehtësi totale”, thuhet në reagim.
Tutje kjo organizatë ka bërë thirrje që Kuvendi t’i bëjë publike proceverbalet e intervistimeve të kandidatëve.
“Ne u bëjmë thirrje deputetëve të Kosovës që të bëjnë publike procesverbalet e dëgjimeve të kandidatëve. Qytetarët e Kosovës dhe gazetarët kanë të drejtë të dinë se çfarë thanë kandidatët dhe mbi çfarë baze do të bëhet zgjedhja e kandidatëve të suksesshëm. Në një demokraci, menaxhimi i organeve të monitorimit të mediave kërkon transparencë maksimale. Ka ende kohë për të lejuar shtypin dhe shoqërinë civile të monitorojnë këtë proces të emërimit”, thuhet tutje.
Ndërkaq, organizata Reporterët pa Kufinj kanë bërë thirrje që Kuvendi t’i hapë procedurat ndaj kontrollit publik.
“Në kundërshtim me praktikën e përforcuar parlamentare, kandidatët për anëtarësi në Komisionin e Pavarur për medie janë intervistuar prapa dyerve të mbyllura dhe pa gazetarë e shoqëri civile. RSF i bën thirrje Kuvendit që t’i hapë procedurat ndaj kontrollit publik”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.