Organizohet diskutim virtual rreth rolit të qendrave kulturore në diasporë

Prishtinë | 22 Shk 2018 | 18:30 | Nga

Organizimi, promovimi, mbrojtja e identitetit dhe trashëgimisë kulturore në Diasporë vazhdon të forcohet nga shoqatat shqiptare atje. Përkundër hapit pozitiv për krijimin e tri (3) Qendrave Kulturore në tri qytete të botës: Cyrih, Malmo dhe Stamboll nga ana e Ministrisë së Diasporës në Kosovë, shpesh herë është vënë në pikëpyetje roli dhe organizimi i tyre përgjatë viteve.

Kështu thuhet në një komunikatë për medie nga organizata “Gremin”, transmeton Ekonomia Online.

Aty theksohet se pas shumë premtimeve dhe zero realizimesh për hapjen e qendrave të kulturës shqiptare edhe në vendet tjera, komuniteti shqiptar është organizuar vet në forma të ndryshme.

Për të hapur një debat dhe për të marrë rekomandime rreth organizimit të qendrave kulturore, organizata Germin ka organizuar diskutim virtual me temën “Rrjetëzimi përmes Qendrave Kulturore në Diasporë”.

Paneli diskutues përbëhej nga: Albana Sejati, shoqata “Vatra”, Stamboll, Bekim Dalipi, portali “Albinfo.ch”, Zvicër, Ridvan Murati, ushtrues detyre i Qendrës Kulturore në Cyrih, Bashkim Meholli, shoqata “UraCult E.V.”, Gjermani, Jetmira Kaziu, shoqata “MAAS Besa” ShBA dhe u moderua nga Denis Nushi, ekspert i shkencave sociale, në Cyrih.

“Fillimisht u potencua që qendrat kulturore në Diasporë sot nuk duhet të krahasohen asesi me organizimet e klubeve shqiptare dikur, ngase ato si për qëllim nuk kanë pasur integrimin e shqiptarëve në vendet pritëse, dhe nuk janë shembulli më i mirë i promovimit të kulturës shqiptare.

Prandaj, panelistët u pajtuan se organizimi në diasporë duhet të vazhdohet përmes programeve të arsimit, kulturës dhe artit (filarmonisë, teatrit, filmit, ansambleve tradicionale, klasave të gjuhës shqipe, ekspozitave, klubeve sportive, klubeve fetare, baletit etj)”, thuhet në një komunikatë.

Një tjetër problem që u theksua nga paneli ishte edhe ndikimi i politikës në 3 qendrat akuale të krijuara nga Ministria e Diasporës në Kosovë, mos-koordinimi në mes të qendrave dhe shoqatave në organizmin e festave të ndryshme, mungesa e qendrave të kulturës në shumicën e qyteteve ku jeton komuniteti shqiptar.

“Për këtë, paneli shprehi mirëseardhje për marrëveshjen e re për Qendrat Kulturore në mes të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, duke shpresuar që palët do të rrisin bashkëpunimin dhe do të ndajnë në masë të barabartë financimin e tyre, ngase mungesa e fondeve ka ndikuar edhe në organizimet e mëparshme të tri qendrave kulturore.

Po ashtu, ata rekomanduan që qendrat e reja të cilat do të hapen duhet të përbëhen nga një komision, i cili udhëhiqet nga përfaqësuesit e rrjetit të studentëve, shoqatave dhe bizneseve të Diasporës”, përfundon komunikata.

Të ngjashme