Shoqata e Importuesëve të Autorizuar të Automjeteve të Reja (SHIAR) në bashkëpunim me kompaninë e specializuar për organizim të evenimenteve “MODUS”, organizojnë panairin e Automjeteve “Prishtina International Autoshow”, për herë të dytë.
Panairi do të mbahet në sallën e Panaireve në Shkabaj (magjistralja Prishtinë – Mitrovicë), me datat 02 deri me 05 Maj 2019, duke filluar nga ora 10:00 deri në 20:00 gjatë javës, kurse në fundjavë duke filluar nga ora 09:00 deri në 20:00.
Në edicionin e dytë të panairt, i cili është më ndryshe se të gjitha panairet e mbajtur në Kosovë, do të prezantohen 23 brende të automjeteve me modelet e tyre më të reja, modele nga fjala e fundit e teknologjisë dhe inovacionit nga industria e automjeteve botërore.
Të pranishëm në këtë panair do të jenë brendet: Audi, BMW, Citroen, Dacia, Fiat, Ford, Hyundai, Jaguar, Jeep, Kia , Lexus, Land Rover, Mercedes, Nissan, Opel, Peugeot, Porche, Renault, Skoda, Suzuki, Seat, , Toyota, dhe Volkswagen.
Bujar Hoxha, Kryetar i Shoqatës së Importuesëve të Autorizuar të Automjeteve të Reja (SHIAR), tha “Në këtë panair do të marrin pjesë pothuajse të gjitha brendet që shiten dhe distribuohen në Kosovë dhe do të prezantohen modelet më të reja, të cilat deri më tani qytetarët nuk kanë pasur mundësinë që t’i shohin. Ashtu si dhe në edicionin e parë, do të ketë prezantime speciale dhe shumë gjëra interesante për të pranishmit”.
Kurse Leart Zeqa, nga kompania MODUS, tha “është kënaqësi që përsëri të organizosh diçka të tillë siç është panairi i automjeteve “Prishtina International AutoShow”, dhe jemi duke bërë gjithçka që ky panair të jetë një ngjarje shumë interesante dhe e paharruar dhe akoma më emocionuese për të gjithë vizitorët. Kjo ngjarje do të jetë një ngjarje atraktive për të gjithë qytetarët, të rinjtë dhe familjarët, e jo vetëm për adhuruesit e Autmobilave”, përfundoi Z. Zeqa.
Përveq Automjeteve që do të zënë pjesën kryesore të hapësirës prej mbi 2,000 m2, do të jenë prezente edhe kompani të tjera të cilat kanë lidhje me industrinë e automobilizmit si banka e institucione financiare, kompani të paisjeve, vajrave dhe aksesorë për automjete por nuk do të mungojë as aspekti argëtues si muzikë, pije dhe ushqime të ndryshme.
Në panair do të jetë edhe këndi i lojërave në mënyrë që ky eveniment të jetë gjithëpërfshirës dhe të ofrojë argëtim për të gjithë familjen.