OSBE-ja mbështeti 37 projekte për rritjen e sigurisë publike, kërkohet bashkëpunimi i qytetarëve me policinë

Prishtinë | 16 Dhj 2019 | 11:46 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë dhe Komiteti Lokal për Siguri Publike (KLSP) nga komuna e Vushtrrisë, ka mbajtur takimin e nëntëmbëdhjetë të Këshillit Ekzekutiv të Komiteteve Lokale për Siguri Publike, raporton Ekonomia Online.

Ambasadori i Norvegjisë në Kosovës, Jens Erik Grondahl, tha se Ambasada e Norvegjisë i ka kushtuar rëndësi të veçantë sigurisë dhe të drejtave të komuniteteve.

“Norvegjia ka vënë theks të shquar në aspektet e sigurisë dhe t’i japim të drejtë komuniteteve që të kenë zë në siguri. Është mirë të ndërtohet mirëbesim i institucioneve publike. Objektivat e planit të veprimit për siguri në komunitet të implementohet. Forcimi i kapaciteteve të mekanizmave të sigurisë dhe për të zvogëluar krimin , përfshirja e komuniteteve në mekanizmat e sigurisë , bashkëpunimi i qytetarëve dhe vetëdijesimi i qytetarëve janë objektiva kryesore”, tha ai.

Shefi i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se misioni ka mbështetur 37 projekte që janë përqendruar në rritjen e sigurisë në rrugë, sigurinë në shkolla dhe instalimin e kamerave.

“Sot i kemi 71 komitete të sigurisë lokale që janë krijuar nga policia e Kosovës dhe kjo është një shifër mbresëlënëse. Misioni do të trajnojë 283 anëtarë shtesë nga viti 2018 dhe programi i trajnimit është i vazhdueshëm në mënyrë që ata të përfaqësojnë komitetet e tyre. KLSP-të kanë implementuar 125 aktivitete të vogla dhe misioni ka mbështetur 37 projektet të tjera që janë përqendruar në rritjen e sigurisë në komunikacion dhe ndërtimit të masave të ndryshme në rrugë dhe sigurisë në shkolla dhe instalimin e kamerave. Jemi përqendruar në forumet ndërkulturore për të rinjtë nga komunitetet e ndryshme”.

Braathu tha se numri i vogël i grave në pjesëmarrje të KLSP-ve është i vogël dhe duhet të punohet në këtë drejtim.

“Në strukturat e KLSP-ve, gratë përbëjnë 16% dhe është e ulët , në 21 KLSP nuk ka përfaqësuese gra fare dhe duhet të punojmë së bashku që ta ndryshojmë. Gratë nuk duhet të neglizhohen sepse ne duhet të përfitojmë nga kontributi i tyre. Ne do të vazhdojmë të punojmë për pjesëmarrjen e tyre në mbarë shoqërinë kosovare. Gratë kanë një rol për të luajtur dhe ne duhet t’i inkurajojmë ato që të punojnë”.

Ai përmendi edhe punën që po e bënë me komunën e Prishtinë për krijimin e portalit ku mund të bëhen raportime dhe për të zgjidhur sfidat lokale.

Zv. drejtori i përgjithshëm për operativë në Policinë e Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se pa bashkëpunimin e qytetarëve është e pamundur të kryhet detyra si duhet.

“Policia është e përkushtuar të ofrojë rend dhe ligj, por është e pamundur pa bashkëpunimin e qytetarëve. Një nga problemet kryesore me të cilat përballet çdo shtet është parandalimi i krimit dhe objektivë kryesore kemi bashkëpunimin me qytetarë sepse është e pamundur policia të dijë të gjitha problemet. Ne kemi probleme të mëdha në trafik dhe numër të madh të aksidenteve, shtrimi i një trotuari e shpëton një jetë ose ndërtim i një rrugice apo vendosja e një shenje të komunikacionit shpëton një jetë. Kontributet që ju i jepni gjatë trajtimit të problemeve kanë rëndësi të madhe. Çdo kush në shoqërinë kosovare ka një rol për ta luajtur e sidomos roli i qytetarëve”, tha ai, raporton EO.

Ai tha se të gjithë policët e Kosovës janë këshilluar që në të gjitha rastet të bashkëpunojnë me qytetarët.

Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Adrijana Hodžić, tha se këshillat që po dalin nga ky diskutim  ngrisin vetëdijen e qytetarëve për sjelljet e tyre në komunitet.

“Duke pasë parasysh përvojën time shumë vjeçare, konsideroj që krijim i këtyre mekanizmave të sigurisë përfshinë mekanizma gjithëpërfshirëse që u mundësojnë të gjithëve që të ndajnë informata të dobishme dhe të veprojnë për të parandaluar krimin dhe për të ofruar ndihmë në komunë. Këto këshilla ngrisin vetëdijen e qytetarëve për sjelljet e tyre në komunitet”.

“Ministria e Pushtetit lokal monitoron krijimin e këtyre këshillave në komuna dhe mbështet funksionimin e tyre. Aty ku ekziston angazhimi për koordinim të aktiviteteve në veçanti ku në aktivitete përfshihen edhe qytetarët në ato raste rezultatet janë evidente”, tha Hodžić.

Drejtori i drejtorisë së policisë në bashkësi dhe parandalim, Basri Shabani, tha se objektivat e policisë në në bashkësi janë ngritja e besueshmërisë, avancimi i reformave të brendshme si dhe ngritja e trafikut rrugor.

“Janë shumë projekte që janë implementuar në bashkëpunim me ju si: rregullimi i trotuareve, ndriçimet publike, ndërtimi i fushave sportive dhe shtypja e broshurave për ruajtën e sigurisë. Parimet me të cilat punon policia e Kosovës janë transparenca dhe paanshmëria. Objektivat e policisë në bashkësi janë ngritja e besueshmërisë, avancimi i reformave të brendshme si dhe ngritja e trafikut rrugor”.

Kryetar i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tha se kjo komunë do të ndaj buxhet për të përkrahur aktivitetet e sigurisë publike.

“Unë si kryetar mendoj që komunat ballafaqohen me shumë sfida sa i përket sigurisë në komunitet dhe nuk janë ende të gatshme të ballafaqohen me sfidat që dalin për sigurinë në komunitet. Është detyrë e secilit për neve që të ndihmojë Policinë e Kosovës dhe organet e tjera në mënyrë që të kemi siguri më të madhe për fëmijët tanë. Komuna e Vushtrrisë do të ndaj buxhet për të përkrahur aktivitetet e sigurisë publike. Siguria është detyrë e secilit prej ne që të angazhoheni në rritjen e saj”, tha Tahiri, raporton Ekonomia Online.

Ai tha se këto projekte të vogla dhe jo me kosto të madhe ndihmojnë shumë në sigurinë publike.

“Mbi 25mijë euro kemi shpenzuar për vendosjen e kamerave në qytet dhe çdo vit do të dedikohet buxhet nëpër zonat e tjera në Vushtrri. Po ashtu si komunë jemi fokusuar edhe për sigurinë në shkolla dhe kemi ndërtuar trotuar”.

Sekretari i përgjithshëm për komunitete dhe kthim, Nenad Stojćetovič, tha se institucionet e Prishtinës, Beogradit dhe Shkupit duhet të takohen vazhdimit për të gjetur një zgjidhje për personat e zhvendosur.

“Ministria i jep prioritet zhvillimit për mbështetje dhe mbrojtje të të drejtave dhe mbështet procesin e kthimit. Gjatë vitit 2014 ministria për komunitet dhe  kthim kanë filluar procesin rajonal për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për personat e qëndrueshëm. Qëllimi është që institucionet e Prishtinës , Beogradit , Shkupit të takohen vazhdimisht për të gjetur zgjidhje për personat e zhvendosur. Ministria për kthim e ka për detyrë që ta bëjë këtë”, tha ai, raporton EO.

Të ngjashme