OSBE-ja nuk i do kamerat në qendrat e votimit, serbëve u kërkon dalje në zgjedhje

Prishtinë | 09 Pri 2024 | 17:00 | Nga Ekonomia Online

Misioni i OSBE-së në Kosovë i ka bërë thirrje KQZ-së që të shmang përdorimin e kamerave nëpër qendrat e votimit për zgjedhjet e 21 prillit në katër komunat veriore.

Përmes një reagimi në platformën X, OSBE-ja në Kosovë thotë që kjo procedurë kërkon “shqyrtim më të plotë dhe konsultim të duhur”.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka mbikëqyrur procesin duke respektuar kuadrin ligjor dhe do të këshillohet të shmangë qasjet novatore, si përdorimi i kamerave në qendrat e votimit, të cilat do të kërkonin shqyrtim më të plotë dhe konsultim të duhur”, ka thënë OSBE-ja në Kosovë.

Ndër të tjera, ky mision u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e 21 prillit, duke i konsideruar “zhgënjyese” thirrjet e partive politike serbe për të dekurajuar ata nga pjesëmarrja në këtë proces.

“Për më tepër, pavarësisht nga deklaratat e fundit zhgënjyese politike partiake që dekurajojnë votuesit nga ushtrimi i të drejtës së tyre demokratike, do t’u mbetet votuesve në secilën komunë që të vendosin nëse do të votojnë ose jo për tërheqjen e kryetarëve të komunave më 21 prill”.

“Pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve në proceset dhe institucionet demokratike është thelbësore për lehtësimin e normalizimit”, deklaroi misioni i OSBE-së në Kosovë.

Më 28 mars, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar 9 specifika teknike sa i përket mbajtjes së votimit të 21 prillit për shkarkimin ose jo të kryetarëve aktualë në katër komunat veriore. Një nga këto specifika parasheh vendosjen e kamerave në vendvotime. Për ta mundësuar këtë, tashmë KQZ-ja ka nënshkruar memorandum me KQZ-në në Shqipëri për të marrë hua kamerat.

Të ngjashme