Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, priti në takim Drejtorin e Departamentit për Siguri Publike në OSBE, Edward Anderson, me të cilin diskutuan lidhur me sigurinë në institucione korrektuese dhe menaxhimin e masave mbrojtëse ndaj Pandemisë Covid 19.
Gjatë takimit, Thaçi e njoftoi Anderson rreth menaxhimit dhe zbatimit të planit operativ “Coronavirus”, i cili ka për qëllim parandalimin e përhapjes së Pandemisë Covid -19 në institucione korrektuese dhe ato të paraburgimit, ku si rezultat i këtij plani, asnjë i burgosur nuk është i prekur nga Pandemia Covid 19.
“Deri sot kemi bërë menaxhim të mirë, por ky fakt nuk duhet të na shpërqendrojë, andaj vëmendja jonë do të vazhdojë të jetë e lartë për aq kohë sa virusi është në mesin tonë”, tha Thaçi.
E në anën tjetër, Anderson e përgëzoi Thaçi për punën e mirë të treguar deri më tani, duke theksuar se SHKK me planin operativ “Coronavirus” ka bërë një punë të shkëlqyer në menaxhimin e situatës dhe të parandalimit të përhapjes së infektimit në institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit.
Gjatë takimit, Anderson shprehu gatishmërinë se OSBE do të vazhdojë ta mbështes SHKK-në në të ardhmen, sidomos në fushën e trajnimeve, hartimin e rregulloreve dhe të Ligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës.