Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka përdorur standarde të dyfishta e të dyshimta në një tender për blerjen e barnave. Ky institucion e ka favorizuar një kompani farmaceutike në tenderin e blerjes së produktit Tenofovire, për të cilin Ministria e Shëndetësisë për një vit do të paguajë rreth 300 mijë euro, shkruan sot Koha Ditore.
Ndonëse kompania “Liri-Med” ka marrë pjesë në këtë tender, gjatë fazës së shqyrtimit të ofertave fabrika që prodhon barin që kompania kosovare e ka ofertuar i është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë me kërkesën që ta eliminojë nga tenderi, për shkak që, ka thënë se, nuk janë të sigurt nëse do të kenë mundësi që të prodhojnë sasi të mjaftueshme të këtij bari për ta sjellë në Kosovë. Pasi Ministria e Shëndetësisë e ka eliminuar, kompania “Liri-Med” është ankuar në OShP.
Ndonëse ky rast ishte me radhë të trajtohej më herët nga ky institucion, OSHP-ja e ka shtyrë seancën për dy javë që t’ ia mundësojë kompanisë që të sigurojë një dokument të ri përmes të cilit do të dëshmonte që ky produkt do të mundë të sillej në Kosovë.