Kryeparlamentarja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar akterët politikë që të lënë ndasitë dhe të bëhen bashkë në luftimin e Coronavirusit.
Të dielën në ditën kur u shënua viktima e parë në Kosovë si pasojë e infektimit me Covid-19, skena politike vazhdoi me akuza e fyerje.
Fillimisht nisi me akuza kreu i LDK-së, e më pas atij ia ktheu nënkryetari i VV-së, Besnik Bislimi.
“Në këtë kohë kur bota e qytetëruar po tregon solidaritet të jashtëzakonshëm ndaj njëri-tjetrit dhe kur qeveritë si dhe pushtet e opozitë anekënd botës janë bashkuar në betejën globale kundër pandemisë më të rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore, është koha që të gjithë përfaqësuesit politikë të bashkohen me mantelbardhët tanë në betejën e tyre për shpëtimin e jetëve të qytetarëve, ka shkruar Osmani në Facebook.
Po ashtu, ftoi kolegët e saj politikanë për bashkim.
“Ne nuk mund të lejojmë që në këtë kohë tmerri të triumfojë virusi i përçarjes dhe jo forca e bashkimit ndaj së keqes. E sotmja është kohë e solidarizimit të plotë, jo e ndarjeve; është kohë e betejës ndaj virusit vdekjeprurës, prandaj heshtat tona duhet t’i drejtojmë kundër pandemisë dhe jo kundër njëri-tjetrit”, shkroi tutje ajo.
Postimi i plotë i Vjosa Osmanit
“Nuk ka asgjë më të shenjtë se sa mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë
Sot, Kosova u zgjua me dhembje për humbjen e jetës së një qytetari tonë nga virusi Covid 19. Ndjenjat tona sot janë me familjarët e tij e me qytetarët e vendit, të cilët po e përjetojnë ankthin e krijuar nga pandemia.
Në këtë kohë kur bota e qytetëruar po tregon solidaritet të jashtëzakonshëm ndaj njëri-tjetrit dhe kur qeveritë si dhe pushtet e opozitë anekënd botës janë bashkuar në betejën globale kundër pandemisë më të rrezikshme që nga Lufta e Dytë Botërore, është koha që të gjithë përfaqësuesit politikë të bashkohen me mantelbardhët tanë në betejën e tyre për shpëtimin e jetëve të qytetarëve.
Ne nuk mund të lejojmë që në këtë kohë tmerri të triumfojë virusi i përçarjes dhe jo forca e bashkimit ndaj së keqes. E sotmja është kohë e solidarizimit të plotë, jo e ndarjeve; është kohë e betejës ndaj virusit vdekjeprurës, prandaj heshtat tona duhet t’i drejtojmë kundër pandemisë dhe jo kundër njëri-tjetrit. Duhet që betejat politike t’i shmangim menjëherë dhe në vend të tyre, ashtu sikur jemi betuar ne që morëm besim qytetar, të punojmë për përmirësimin e jetës së njerëzve tanë. Në këtë kohë të rëndë pandemie, kjo nënkupton mbrojtjen e jetës së qytetarëve tanë dhe përkrahjen e pakusht të profesionistëve tanë, të cilët po e bëjnë të pamundurën për menaxhimin e kësaj situate të rëndë.
Kosovës i duhet sot jo vetëm solidaritet qytetar, por edhe solidaritet politik. Është koha të tregojmë jo vetëm përgjegjësi insiticionale, por mbi të gjitha përgjegjësi morale. Është koha të punojmë bashkë sot, që e nesërmja të mos na mallkojë”.