Osmani dekoron post mortem pjesëtarin e UÇK-së, Francesco Bider, me Urdhrin “Hero i Kosovës”

Prishtinë | 13 Pri 2024 | 11:33 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të aktiviteteve të manifestimit tradicional “Ditët e Shqipes’2024”, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar të premten me Urdhrin “Hero i Kosovës”, pjesëtarin e Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Francesco Guiseppe Bider, me motivacion për trimërinë dhe sakrificën për lirinë e Kosovës.

Osmani, urdhrin ia dorëzoi vëllait të heroit, Alfredo Bider, i shoqëruar nga familjarë dhe ish-udhëheqësit e Brigadës 138 “Agim Ramadani” dhe Betejës së Koshares.

E para e vendit theksoi se heroi Francesco Bider besoi në lirinë e popullit tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

“Ishin pamjet e vrasjeve, djegieve, vuajtjeve të zhvendosurve, pamjet e kampeve të refugjatëve dhe gjithë realitetit të tmerrshëm që kalonte populli ynë nga regjimi gjenocidal të [Sllobodan] Millosheviç-it që e shtynë Francescon t’i bashkohej UÇK-së në luftën për çlirimin e Kosovës, ku edhe ra dëshmor”, potencoi Osmani.

Osmani potencoi se të gjithë pjesëtarët e UÇK-së i bashkoi kauza e lirisë dhe e drejtësisë kundër tiranisë, gjenocidit dhe shtypjes.

Beteja e Koshares ishte një nga betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Aty ishte thyer kufiri shqiptaro-shqiptar, pra mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Të ngjashme