Osmani dhe Kurti: Barazia Gjinore, angazhim i përditshëm dhe prioritet shtetëror

Prishtinë | 18 Nën 2025 | 10:59 | Nga Gzim Mujaj

Në shënimin e 20-vjetorit të Agjendës për Barazi Gjinore të Kosovës, Agjencia për Barazi Gjinore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit ka organizuar konferencën ndër–rajonale “30 vjet pas Pekinit – Rruga përpara”, raporton Ekonomia Online.

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kërkuan angazhim të pandalshëm institucional dhe shoqëror për avancimin e të drejtave të grave dhe vajzave në vend.

Ata theksuan se barazia gjinore nuk duhet të mbetet koncept deklarativ, por parim dhe praktikë e përditshme që reflektohet në politikëbërje, punësim dhe pjesëmarrje publike.

Presidentja Vjosa Osmani tha se barazia gjinore është angazhim i përditshëm dhe jo premtim elektoral.

“Barazia gjinore as një herë nuk është fjalë në letër, nuk është premtim zgjedhor, barazia është një betim dhe veprim i përditshëm. Ne duhet të jemi zëri që thyen heshtjen, duart që ngrisin njëra tjetrën, zemrat që nuk dorëzohen kurrë përballë padrejtësisë. Vetëm kështu mund të ecim përpara. Le të qëndrojmë të palëkundur në këtë mision, ku as një vajzë e grua nuk jeton nën hijen e frikës, ku as një prej tyre nuk mbetet jashtë mundësive dhe ku çdo derë e jetës publike hapet pa dallim, pa paragjykim, pa as një barrierë. Le të ecim bashkë me besim, vendosmëri dhe me guxim sepse kjo është rruga drejt një shteti që i ngjan idealeve tona të përbashkëta”, tha ajo.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti theksoi se Kosova ka përkthyer zotimet e Pekinit në politika konkrete.

“Sot teksa shënojmë këtë përvjetor, riafirmojmë angazhimin e Kosovës si aleatë e palëkundur e të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Edhe pse shumë më e re si republikë, Kosova i ka përkthyer angazhimet e platformës së Pekinit në politika konkrete. Një nga shtyllat e kësaj platforme është eliminimi i varfërisë së grave. Si qeveri kemi marrë masa që e thyejnë këtë cikël, mbi 12 mijë gra të punësuar drejtpërdrejt nga programet e punësimit. Barazia të jetë praktikë në çdo vend pune për çdo vajzë e grua. Çdo institucion, secila ndërmarrje dhe çdo komunitet duhet të jetë aleatë për barazinë gjinore, për një shoqëri ku potenciali i grave shihet, mbështetet dhe vlerësohet”, tha ai.

Nënkryetarja e Kuvendit Albulena Haxhiu, theksoi se barazia gjinore mbetet themeli i një shoqërie të drejtë dhe demokratike, duke e cilësuar atë si boshtin mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e vendit. Ajo kujtoi se Deklarata e Pekinit ka qenë një pikë kthese globale që i detyroi shtetet të shohin qartë se zhvillimi nuk është i mundur pa gra të mbrojtura, të arsimuara dhe të fuqizuara ekonomikisht.

“Barazia gjinore është boshti mbi të cilën ngrihet e ardhmja e një shoqërie që synon drejtësi të vërtetë, institucione të përgjegjshme dhe zhvillim të qëndrueshëm. Sot kur flasim për barazinë nuk flasim thjesht për të drejta indidviduale, flasim për arkitekturën e vet shtetit, për rrënjët e stabilitetit dhe për themelet e vet demokracisë funskionale. Deklarata e Pekinit ishte një pikë kthese historike një kontratë politike globale që detyroi botën të shihte realitetin me sy të hapur se pa gra të mbrojtura të arsimuara të përfaqësuara dhe të fuqizuara ekonomikisht shoqëritë thjesht nuk ecin përpara. Sfida jonë nuk është mungesa e kornizave por ritmi a arrijmë që t’i zbatojmë ato. Dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje që u përmenden nga presidentja dhe kryeministri janë plagë shoqërore që nuk njohin kufi politik, ekonomik apo edhe kulturor. Është miratuar ligji për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje; është miratuar strategjia kombëtare dhe kemi formalizuar protokolin për rastet e dhunimeve seksuale; kemi vendosur bazat e programit kombëtar për trajtimin e kryersve ndaj dhunës ndaj grave, një mekanizëm themelor për ndërprerjen e ciklit të dhunës; kemi hartuar kurrikula profesionale; kemi forcuar mekanizma lokal dhe kemi nisur nisma që kanë jehonë rajonale. Dhe për herët të parë në Ballkan kemi hapur rrugën institucionale për punësimin e grave që janë të mbijetuara të dhunës në familje, por edhe shumë veprime tjera. Çdo hap i ndërrmarrë ka synuar një shoqëri ku viktimat nuk janë të vetme dhe ku përgjegjësia institucionale nuk është fjalë por është veprim i prekshëm”, tha ajo.


Të ngjashme