Osmani e Kurti pritet të takohen me Macron

Prishtinë | 10 Nën 2022 | 16:10 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, pasditen e së enjtes së 10 nëntorit do të takohen me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Burime të Portali Dukagjini, thonë se takimet do të jenë ndaras.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten dhe të premten do të jetë pjesë e Forumit të Paqes që pritet të mbahet në Paris.

Tema në të cilën Vjosa Osmani do të jetë paneliste titullohet “Navigimi në trazirat ndërkombëtare”.

Edicioni i 5-të i këtij forumi do të bëjë bashkë më 11-12 nëntor më shumë se 3 mijë aktorë të qeverisjes globale.

Pikat kryesore të programit do të fokusohen në objektivat që synojnë përmirësimin e dialogut global dhe adresimin e sfidave globale.

Pritet të prezantohen 60 projekte të reja për të zgjidhur sfidat që shkojnë përtej kufijve kombëtarë.

Ndër të tjera, do të ketë më shumë se 80 seanca dhe shkëmbime (debate dhe tryeza të rrumbullakëta).

Forumi i Paqes në Paris është tanimë një ngjarje ndërkombëtare vjetore e fokusuar në ringjalljen dhe përmirësimin e qeverisjes globale.

Në këtë forum do të marrin pjesë personalitete nga e gjithë bota.

Të ngjashme