Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë, kanë vizituar Forcën e Sigurisë së Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Kryeparlamentarja Osmani, por edhe kryeministri Kurti nga kazerma “Aden Jashari” thanë se prioritet i tyre mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe NATO.
“Sot në këtë ditë të veçantë kam nderin dhe kënaqësinë që në emër të Kuvendit të Kosovës të ju drejtohen juve që jeni sinonim i shtetësisë dhe i mbrojtjes. Në këtë kazermë që mban emrin e Adem Jasharit shembullit të sakrificës dhe pavarësisë që gëzojmë sot. Sot amaneti është i quar përpara sepse kemi ushtrinë dhe shtetin tonë. Të jesh ushtarak nuk është e lehtë sepse mundi dhe rreziku e bëjnë punën tuaj të vështirë”.
“Ju jeni përkrahësit më të mëdhenj të paqes. Sot unë dua të ju them që ju keni sakrifikuar në momentin që e keni vendosur uniformën në trupin tuaj. Nuk ka sakrificë më të madhe se sa të luftosh për vendin tënd dhe për të mirën e vendit tënd. Forcat tona do të konsolidohen si forca ndërvepruese me forcat ushtarake të NATO. Do të punojmë pa reshtur që të bëjmë Kosovën vend të sigurt. Anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i vendit tonë, tha Osmani.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se pa ushtri Kosova është e dobët, ndërsa foli edhe për idenë e tij për shërbimin ushtarak.
Ai tha se shërbimi ushtarak nuk po bëhet për të sunduar vende, por për të forcuar shtetin e Kosovës.
“Është kënaqësi të jem me ju sot në këtë ditë rëndësishme të shtetit tonë. Në emër të qytetarëve ju falënderoj për shërbimin që i bëni vendit. Të gjithë në që marrim poste jemi në shërbim të qytetarëve gjatë gjithë kohës. Detyra që ju e bëni më përkushtim dhe dashuri, uniforma juaj është mishërimi i sakrificës kombëtare pa ushtrinë dhe pa mbrojtje jemi të dobët e të pa mbrojtur”, tha ajo.
“I keni bërë krenar qytetarët dhe keni lartësuar vendin me atë që keni bërë në Shqipëri. Do ta bëjmë shërbimin ushtarak të detyrueshëm sepse përvojat në shërbimin ushtarak na duhen. Shërbimin ushtarak nuk e po e bëjmë për të sunduar sepse asnjëherë nuk kemi pushtuar tokat e huaja por çdo herë do të mbrojmë çdo cep të vendit tonë”, tha ai.
Edhe Kurti tha se prioritet i qeverisë së tij mbetet anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
Por për të arritur këtu, ai tha se lidershipi kosovarë duhet të bashkohet.
“Është detyrë e jona të zhvillojmë shtetin nga brenda dhe ta forcojmë nga jashtë. Ne duhet të përballemi me botën ashtu siç është dhe çdoherë duke punuar dhe për ta bërë ashtu si duhet të jetë. 20 vjet kanë kaluar dhe askush s’ka marr përgjegjësi për gjenocidin dhe të njëjtit mohojnë të drejtën tonë. Ne e dobësojmë shtetin tonë sa herë që e vendosim vetën para interesave të shtetit. Ne duhet të jemi unik në politikën e jashtme. Do të punojmë që të avancojmë anëtarësimin në NATO dhe BE dhe këto janë prioritet. Integrimi në BE është rrugë e gjatë por janë nevoja qe na forcojnë, tha Kurti.
Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett dhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu, si dhe ministra të kabinetit qeveritar.
Fjalimi i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, në ceremoninë në Kazermën “Adem Jashari”
Të nderuar përfaqësues të Institucioneve të Kosovës,
I nderuar Kryeministër z. Albin Kurti,
I nderuar Ministër i Mbrojtjes z. Anton Quni,
Komandant i FSK-së, Gjeneral Rama,
Të dashur ushtarakë, oficerë dhe nënoficerë,
Sot, në këtë ditë të veçantë dhe më të rëndësishmen për Republikën e Kosovës, kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë, që në emër të Kuvendit të Kosovës, institucionit më të lartë përfaqësues në vend, të ju drejtohem juve që jeni sinonim i shtetësisë, mbrojtjes së sovranitetit dhe paprekshmërisë së territorit të Republikës sonë.
Në këtë kazermë që mban emrin e komandantit Adem Jasharit, shembullit të sakrificës e vetëflijimit për atdhe, që ne të kemi lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë sot, ndjejmë obligim moral e qytetar, të kujtojmë me dhembje por edhe krenari, përpjekjet e gjeneratave të kaluara, që u flijuan për Kosovën tonë. Sot amaneti i tyre është jetësuar, kemi shtetin tonë dhe kemi ushtrinë tonë.
Ushtria e Kosovës, është produkt i luftës për liri, i rezistencës së një populli të tërë, i gjakut të dëshmorëve, dhe miqësisë së hershme e të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ishte nisur si mision strategjik nga Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova.
Të jeni krenarë me veten. Dhe në ato momente të mundimshme trajnimesh kur djersa e lodhja fizike e psiqike mund të ju duket e kotë – të jeni të vetëdijshëm se vendimi juaj për të sakrifikuar më të rëndësishmen që keni – jetën tuaj – është vendim i shenjtë të cilin shteti dhe qytetarët ua vlerësojnë.
Kosova po shënon 21 vite liri dhe 12 vite shtet, dhe askush më mirë se populli i Kosovës, nuk e kupton në thelb, rëndësinë e të jetuarit në një vend të lirë dhe të sigurtë, ku garantohen liritë politike dhe qytetare për të gjithë pa dallim. Vajzat dhe djemtë tanë në uniformë, janë të shkolluar dhe përgatitur profesionalisht, të stërvitur me standardet më të larta të vendeve të NATO-s dhe të gatshëm të përballen me sfida dhe nevojat eventuale. Si bashkëshorte e një ushtaraku, mbajë me krenari uniformën e Forcave tona në shtëpinë tonë, gjithmonë e vetëdijshme për sakrificën që keni bërë për t’i shërbyer vendit.
Veçanërisht ndjejmë krenari me oficerët dhe nënoficerët e rinj të FSK-së të cilët kanë arritur rezultate maksimale në akademitë më të njohura ushtarake botërore dhe në garat ndërkombëtare. Shembulli dhe profesionalizmi i juaj i treguar në ndihmë Republikës së Shqipërisë në rastin e përballjes me tërmetin e vitit të kaluar, ka qenë edhe një dëshmi e radhës se FSK posedon kualitete dhe profesionalizëm të lartë dhe për këtë, gjithë qytetarët tanë janë ndier krenarë. Forcat tona do të konsolidohen si forcë ushtarake profesionale dhe e nderveprueshme me forcat ushtarake të NATO-së dhe si të tilla janë që tani të gatshme të kontribuojnë në operacione të paqes jashtë territorit në partneritet dhe koordinim të plotë me NATO-n.
Të dashur ushtarakë, ju duhet të ndiheni krenarë që jeni pjesë e një formacioni ushtarak i cili ka veç një mision: mbrojtjen e integritetit territorial dhe sigurisë e qytetarëve të Republikës pa dallim. Do të punojmë pareshtur që të bëjmë realitet Kosovën që duam Ne, vend të sigurt, ku respektohet kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, vend të zhvilluar ekonomikisht, të integruar në NATO, Bashkimin Evropian dhe në strukturat tjera euroatlantike. Anëtarësimi në NATO dhe BE mbetet objektivi kryesor strategjik i Republikës sonë për të cilin do të angazhohemi me gjithë potencialin tonë.
Zoti i bekoftë Forcat tona dhe Kosovën tonë.
Nderime atdheut!