Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, pas tryezës së ftuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se nuk është informuar me zhvillimet në LDK.
Ajo tha se tash e sa kohë nuk po e thërrasin në takime, raporton Ekonomia Online.
Osmani para gazetarëve tha se ka dëgjuar që sot është organizuar një takim nga Lidhja Demokratike e Kosovës ku do të merren vendime se si të procedohet me hapat e mëtejmë për formimin e Qeverisë së re.
“Jam tërësisht e painformuar, sapo dëgjova se qenka edhe një takim tjetër sot lidhur me këto përpjekje në të cilin unë nuk jam ftuar, por kjo nuk është një gjë e re”.
“Nuk kam diskutuar me askënd dhe askush s’ka diskutuar me mua për këtë temë”.
“Dëgjova që sot qenka një takim ku do të merren disa vendime rreth hapave të mëtejmë tash e tutje, por nuk jam ftuar në një takim të tillë”.
Osmani tha se në këtë takim ka marrë pjesë si kryetare e Kuvendit dhe është informuar për hapat e marrë.
Ajo më tej ka shtuar se ka informuar të pranishmit për nismën saj në Kuvend, dhe bisedat me akter ndërkombëtarë për ta ndihmuar financiarisht Kosovën edhe pas periudhës së pandemisë.
“Aty kam dëgjuar për masat e marra nga institucionet në menaxhimin e kësaj pandemie, i kam njoftuar të pranishmit me nismat që i kam marrë në Kuvend, dhe me kontaktet që i kam pasur me komunat e deri tek kontaktet e vazhdueshme me përfaqësuesve ndërkombëtarë, veç e veç ku në emër të kuvendit kemi kërkuar ndihmë me mjete dhe ndihmë financiare”.
“Që edhe në periudhën e pas pandemisë ta ndihmojnë Kosovën në mënyrë financiare. Për momentin nuk dihet se si do të procedohet nisma pasi do të kemi edhe disa konsulta me grupet parlamentare, për lehtësimin e masave duhet një konsensus i gjerë”.
Osmani nuk pranoi të flas për spekulimet që VV-ja të propozoj emrin e saj si kandidate për kryeministre.
“Unë nuk do të dua sot të flas për këto çështje puro politike pasi takimi lidhet me bashkëpunimin ndërinstitucional për menaxhimin pandemisë. Për pyetjen e juaj mund të përgjigjem më vonë”.
“Kemi kërkuar informata nga ministri i shëndetësisë për këtë çështje ai na ka informuar në detaje që ka kërkesa të mëdha për teste dhe edhe vendet që prodhojnë kanë vështirësi, ka një ndihmë të dakorduat me Luksemburgun dhe karantinë dhe na informoi që do të ketë 13 mijë teste të tjera. Serbia edhe mund të ketë dërguar ndihma, por kjo nuk e shlyen të kaluarën”.