Osmani e USAID-i me marrëveshje prej rreth 35 milionë dollarë – Hovenier: Konfirmohet sërish partneriteti me popullin e Kosovës

Prishtinë | 15 Sht 2023 | 11:16 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së USAID-it, Kerry Monaghan Hogler, kanë nënshkruar marrëveshje në vlerë prej 34.727 milionë dollarë, raporton Ekonomia Online. Ajo është nënshkruar në bazë të amendamentit numër 5 të marrëveshjes së grantit.

Osmani, tha se është kënaqësi të prezantohen projekte e marrëveshje të cilat kontribuojnë në avancimin e raporteve Kosovë-ShBA.

Ajo shtoi se një nga objektivat parësore të kësaj marrëveshjeje është sigurimi i shërbimeve më të mira për të gjithë qytetarët e Kosovës, nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve institucionale.

“Në këtë mënyrë do të fuqizohet administrata publike, do të eliminohet burokracia dhe do të promovohet transparenca. Duke llogaritur llogaridhënien dhe efikasitetin brenda institucioneve publike, kjo marrëveshje do të kontribuojë në reduktimin e vazhdueshëm të korrupsionit dhe rritjen e efikasitetit ndaj nevojave të qytetarëve tanë”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se po konfirmohet sërish partneriteti i qëndrueshëm dhe afatgjatë i ShBA-së me popullin e Kosovës.

“Mendoj se është e duhur që të konfirmojmë sërish partneritetin e qëndrueshëm dhe afatgjatë të ShBA-së me popullin e Kosovës”.

“Ky fond do të mbështesë qëllimet strategjike të ShBA-së për Kosovën siç janë: Avancimin e integrimit të Kosovë në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përpjekjen për promovimin e rritjes së përparimit ekonomik dhe përpjekjet për zhvillimin e qeverisjes së mirë”.

Të ngjashme