Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë dje në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, ku u diskutua për situatën e Ballkanit në rrugëtimin europian.
Pas përfundimit të takimit, Osmani deklaroi se ky samit mbetet platformë e rëndësishme për rajonin tonë, ndërsq ka listuar pikat kyçe për të cilat ka diskutuar me liderët institucionalë dhe ata të shteteve anëtare.
Presidentja ka theksuar se “nëse respektohet parimi i meritokracisë, ashtu siç proklamohet, atëherë duhet të ecet përpara me hapa konkret në këtë rrugëtim, duke filluar me trajtimin e menjëhershëm të aplikacionit tonë për anëtarësim dhe heqjen e masave ndaj Kosovës të cilat janë të padrejta dhe joevropiane”.
“Nuk mund të ketë integrim të suksesshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor nëse vazhdimisht rrezikohet paqja dhe siguria. Prandaj, llogaridhënia e Serbisë për aktet e vazhdueshme të agresionit ndaj Kosovës është kyçe”, u shpreh mes të tjerash Osmani.