Osmani ia caktoi 28 dhjetorin për zgjedhje, Kurti: Nuk ka qenë e mundur të mbahen më 21 dhjetor

Prishtinë | 13 Mar 2026 | 13:41 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kishte bindje se vetëm 28 dhjetori ishte data që do të mund të mbaheshin zgjedhjet e përkohshme parlamentare, për të cilën datë presidentja Vjosa Osmani e zgjodhi veçse ia kishte kërkuar ai, raporton Ekonomia Online.

“Zgjedhjet e fundit janë mbajtur më 28 dhjetor, për bindjen time të fuqishme zgjedhjet nuk kanë qenë e mundur të mbahen më 21 dhjetor për shkak se ekziston edhe shkresa nga sekretariati i KQZ-së, ku thuhet se kanë të pamundur organizimin e zgjedhjeve për 21 dhjetor për të përmbushur afatet e domosdoshme kohore lidhur me sfidat teknike e logjistike. Mos harroni që ne kishim në tetor edhe dy raunde të zgjedhjeve lokale dhe hymë në procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ende pa u bërë certifikimi i zgjedhjeve lokale. Prandaj, nuk ka pasur mundësi tjetër për datë përveçse më 28 dhjetor. Nëse ndokush do të mendonte se ka qenë e mundur të organizohen zgjedhjet më 4 janar, kjo s’ka qenë e mundur për shkak të aspektit buxhetor”, tha ai.

Për deklaratat e Osmanit ndaj tij, ai tha se nuk dëshiron të përsëritet nga konferenca e javës së kaluar, megjithatë ai theksoi se zgjedhjet janë të panevojshme.

“Unë nuk kam asnjë qëllim të shtoj nga konferenca për media që ishte para një jave. Nuk besoj që është e nevojshme të përsëris veten. Presidentja e Republikës është kreu i shtetit, unë jam kryeministri i vendit dhe unë besoj që kemi një çështje që tashmë ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa theksi duhet të vihet te fakti që në vitin e kaluar kemi pasur katër palë zgjedhje dhe jam i bindur që nuk duhet të përsërisim atë në 2025. 2026 është viti i ri, nuk është as e drejtë, as e dobishme të kemi zgjedhje të përsëritura. Prandaj është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit. Qytetarët e Republikës presin prej nesh stabilitet institucional dhe jo zgjedhje të përsëritura, pra, nuk ka nevojë për zgjedhje të përsëritura; ka nevojë që sa më parë të kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të fillojë Kuvendi të punojë”, tha Kurti.

Se janë të panevojshme zgjedhjet, Kurti iu referohet edhe marrëveshjeve ndërkombëtare, por edhe se nëse planifikohen zgjedhje të reja ato do t’i kushtojnë shtetit më së paku 10 milionë euro.

“Meqenëse mbi 120 milionë euro të marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare na janë vonuar për shkak se nuk po punon Kuvendi i Republikës, dhe në anën tjetër zgjedhjet e reja do të kushtojnë së paku 10 milionë euro. Nuk bëhet fjalë tash se kush e ka shumicën duruese. LVV ka fituar me 51.1 për qind dhe çështja është të kurojnë prej 81 deputetëve, dhe nuk besoj që na duhen zgjedhje të reja për të pasur garë se a po arrijmë 80 deputetë. Është e domosdoshme që sa më parë të funksionalizohet Kuvendi dhe të mos shkojmë me zgjedhje të reja të panevojshme”, tha Kurti.

Të ngjashme