Osmani: Kemi arritur t’i rikonfirmojmë rreth 20 njohje të shtetit

Prishtinë | 11 Jan 2026 | 20:51 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Vjosa Osmani e ka vlerësuar si një arritje shumë të madhe gjatë mandatit të saj rikonfirmimin e njohjeve nga shtetet të cilat Serbia pretendonte se e kanë çnjohur Kosovën.

“Kemi arritur që të rikthejmë rreth 20 çnjohje të pretenduara”- ka thënë Presidentja e vendit duke shtuar se e Drejta Ndërkombëtare megjithatë nuk flet për konceptin e çnjohjeve, por se deklarimet për tërheqjen e njohjeve i shkaktojnë dëm vendit.

Në një intervistë me Shkëlzen Gashin në emisionin Nerv, e para e vendit tha se është dashur punë e madhe nga institucioni i Presidencës, për të rikonfirmuar njohjet e këtyre 20 vendeve.

Nëse një shtet thotë se ne ju çnjohim, neve na dëmton shumë. Edhe në imazh edhe në parandalimin e njohjeve të reja por edhe në anëtarësim në Organizata Ndërkombëtare.”- shtoi Presidentja Osmani.

Për pesë vjet mandat, ajo tha se janë marrë me të gjitha pretendimet për çnjohje të shtetësisë së Kosovës.

“I kemi rikonfirmuar dhe betonuar të gjitha”- ka thënë Osmani duke shtuar se shumë liderë janë ftuar në Kosovë dhe janë nënshkruar marrëdhënie diplomatike.

Presidentja ka thënë se Kosovës i është shkaktuar dëm nga pretendimet për çnjohje, por që me punë u pamundësua mbetja në stadin e mohimit të njohjes nga këto 20 shtete.

“Përveç me njërin – akoma nuk kemi përgjigje prej atij shteti”- tha Osmani duke mos e përmendur se cili shtet është ai.

Duke folur për katër njohjet që Kosova i ka marrë gjatë vitit 2025, ajo ka paralajmëruar edhe njohje të reja gjatë këtij viti.

Në gjysmë dekadën e fundit, Kosova ishte ballafaquar me fushatën e Serbisë për çnjohje të Pavarësisë së Kosovës.

Ato që e kishin tërhequr njohjen ishin kryesisht vende të Afrikës, si Burundi, Ishujt Solomon, Madagaskari, Gana, Sierra Leone e të tjera, ani pse institucionet e Kosovës nuk kanë konfirmuar ndonjë çnjohje.

Pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit ka qenë edhe një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e Serbisë për çnjohjen e Kosovës, ashtu si edhe një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare – moratorium që ka skaduar në vitin 2021.

Pas një pauze katërvjeçare, shtetit më të ri në Europë iu hap sërish dera e njohjeve të reja nga vendet e tjera. Brenda vitit 2025, Kosova arriti të marrë katër njohje të cilat ia përforcojnë subjektivitetin në arenën ndërkombëtare.

Kenia, Sudani, Siria dhe Bahames u shtuan në listën e njohjeve të Kosovës, duke u bërë kështu plot 121 shtete që e njohin aktin e vulosur në Prishtinë më 17 shkurtit 2008. Këto janë njohjet e reja që erdhën pas Izraelit në shkurt 2021. Para kësaj, shteti i fundit që e njohu Kosovën, ishte Barbadosi në vitin 2018.

Të ngjashme