Osmani: Këto zgjedhje erdhën nga dështimi i partisë së parë

Prishtinë | 07 Qer 2026 | 22:40 | Nga Ekonomia Online

Kandidatja për presidente e LDK-së, Vjosa Osmani, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit duhet të jetë prioriteti kryesor i institucioneve të reja pas përfundimit të procesit zgjedhor, duke theksuar se vendi përballet me afate kushtetuese që nuk lejojnë vonesa në këtë drejtim. Ajo gjithashtu theksoi se zgjedhjet e 7 qershorit ishin dështim i Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.

Duke folur në konferencën për media pas përmbylljes së procesit të votimit, Osmani tha se zgjedhjet e parakohshme janë rezultat i dështimit për të arritur konsensus rreth zgjedhjes së presidentit, duke i cilësuar ato si zgjedhje që në thelb lidhen me këtë post.

“Janë dy çështje që do të doja t’i përmend këtu. E para, këto zgjedhje janë bërë për shkak të dështimit të partisë së parë që të arrijë kompromis rreth zgjedhjes së presidentit. Pra, këto në fakt janë zgjedhje për president. Herë e parë në historinë e Kosovës që vendi ka shkuar në zgjedhje për shkak të një dështimi të tillë. Pra në esencë, ky është prioriteti numër një edhe për shkak se Kushtetuta dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese krijon një urgjencë të tillë”, tha Osmani.

Ajo paralajmëroi se moszgjedhja e presidentit brenda afatit kushtetues mund ta çojë vendin sërish në zgjedhje, pavarësisht nëse krijohen institucionet e tjera.

“Në qoftë se nga dita e konstituimit të Kuvendit ne nuk kemi president për 60 ditë, vendi automatikisht do të shkojë në zgjedhje dhe nuk do të ketë fare rëndësi a kemi qeveri, a kemi kuvend të konstituuar. Sërish vendi do të shkojë në shtëpi përsëri, pas pak ditësh. Prandaj, edhe nga aspekti kushtetues, edhe nga aspekti i urgjencës kushtetuese dhe të krijimit të stabilitetit politik në vendin tonë, është e domosdoshme që kjo të jetë çështja e parë në rend të ditës dhe jo të shtyhet në mënyrë që pastaj gjithçka të lihet për 24-orëshin e fundit”, deklaroi ajo.

Duke folur për rëndësinë e institucionit të presidentit, Osmani tha se LDK-ja historikisht i ka kushtuar vëmendje të veçantë këtij posti për shkak të rolit që luan në ruajtjen e balancave demokratike dhe të unitetit të vendit.

“Sa i përket temës që ju e ngritët, keni të drejtë që tradicionalisht LDK-ja i ka dhënë rëndësi të madhe këtij institucioni, për shkak se është institucion ku edhe determinohet mbajtja e balancave demokratike në shtetin tonë. Është institucion ku determinohet mbrojtja e demokracisë në vendin tonë dhe është institucion ku mbrohet integriteti, dinjiteti i qytetarëve, uniteti i popullit, por po ashtu aleancat të cilat i kemi të shenjta dhe ekzistenciale”, tha Osmani.

Të ngjashme