Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, në takimet e sotme në Parlamentin Evropian, ka thënë se Kosova është e gatshme për dialogun me Serbinë.
Në takimet me krerët e Parlamentit, Osmani ka thënë se institucionet janë të gatshme të jenë pjesë dialogut me parimet dhe vijat e kuqe, të vendosura kohë më parë.
Si institucione ne jemi të gatshëm të jemi pjesë e dialogut Kosovë-Serbi mirëpo ka parime, ka vija të kuqe të cilat ne i kemi vendosur tash e një kohë të gjatë dhe nuk mund t’i tejkalojmë. Ato lidhen me respektimin e integritetit territorial, sovranitetit të shtetit dhe rregullimin kushtetues të Kosovës. Jemi të vetëdijshëm që do të jetë një proces sfidues, procesi sfidues kërkon riunifikim të spektrit politik në vend”, ka deklaruar Osmani.
Osmani ka thënë se procesi i dialogut duhet të bëhet me institucione stabile që dalin pas zgjedhjeve.
“Diskutuam për rolin që duhet ta ketë në përgjithësi në fushën e politikës së jashtme por në veçanti në procesin e dialogut dhe për nevojën që të kemi institucione sa më stabile pas zgjedhjeve, që një shumicë e re parlamentare, të ketë mundësi që t’i kryej reformat që janë të domosdoshme në procesin e integrimit evropian”, ka thënë ajo.
Duke folur për gjendjen e pandemisë së koronavirusit, Osmani ka deklaruar se një ndër temat më të rëndësishme është vaksinimi i qytetarëve. Ajo thotë se ka diskutuar me presidentin e Parlamentit Evropian që procesi i dhënies së vaksinave të bëhet sipas strategjisë.
“Siç mund ta merrni me mend, prej temave kryesore ishte çështja e vaksinimit të qytetarëve të Kosovës pasi që një pjesë e madhe të kontributit për vaksina dhe mjete të tjera mjekësore gjatë kësaj procesi, ka qenë kjo ndihmë nga BE-ja është me rëndësi të mos ndërpriten përpjekjet edhe gjatë këtij një muaji e gjysmë por edhe pas krijimit të institucioneve të reja”, ka potencuar Osmani.
Osmani tutje ka deklaruar se pret që Bashkimi Evropian ta mbaj premtimin për procesin e liberalizimin të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Është e domosdoshme që BE-ja ta mbajë fjalën për proceset që tashmë ia ka dhënë fjalën qytetarëve të Kosovës, e një ndër to është procesi i liberalizimit të vizave”, ka shtuar ajo. (Koha)