Osmani: Kujtimi për heronjtë do të jetojë në zemrat dhe ndërgjegjen tonë

Prishtinë | 18 Shk 2025 | 14:38 | Nga Diellza Gashi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se heronjtë janë të përjetshëm, kujtimi i të cilëve, do të jetojë në zemrat dhe ndërgjegjen tonë, raporton Ekonomia Online.

“Ata që ranë në fushën e nderit, heronjtë tanë të UÇK-së, vunë mbi gjithçka idealin e lirisë, sakrifikuan jetën për të mos lejuar që historia të përsëritet me padrejtësi. Ata janë heronjtë tanë të përjetshëm, kujtimi i të cilëve do të jetojë në zemrat dhe ndërgjegjen tonë”, tha Osmani në ceremoninë e ndarjes së dekoratave për të rënët në rrugën e lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. 

Presidentja ndau dekoratën për Tahir Sinani, Indrit Carën, Shkelzen Syla, Muhamet Ukshini, Sylejman Abdyli, Rexhep Kadria, Halil Berisha, Maxhun Çekaj, Hazir Kryeziu, Rizah Ahmeti, Ruzhdi Aliu, Qamil Hoti, Ali Ajeti.

Ajo ka nderuar me urdhrin “Hero i Kosovës” dhe trajnuesit e UÇK-së.

“Në vitin 1991, dy grupe themeluese të luftëtarëve të UÇK-së nisën rrugëtimin e tyre drejt lirisë, duke u përgatitur në Shqipëri. Grupi i parë, nën udhëheqjen e Zahir Pajazitit, u stërvit në Elbasan. Ndërsa grupi i dytë, i udhëhequr nga Adem Jashari, u përgatit në Tiranë, në Surrel dhe në malin e Dajtit. Përgatitja e këtyre luftëtarëve nuk ishte një veprim spontan, por një mision i mirëorganizuar, i mbështetur nga ushtarakët shqiptarë, sikurse Hysen Ymeri, Agron Dhimarko, Ylli Mici,  Kastriot Hoxha dhe ushtarakë të tjerë shqiptarë, të cilët punuan për ta trajnuar e përgatitur brezin e parë të luftëtarëve që do ta ngritin flamurin e lirisë. Njësoj siç e meriton edhe ish-ushtari i UÇK-së nga Danimarka, Niels Henrik Hooge, i cili sot është me ne në 17 vjetorin e shtetit të Kosovës”, tha Osmani.

Ajo ka shprehur mirënjohjen ndaj institucioneve akademike që krijuan mundësinë për shkollimin e të rinjve.


“I shprehim mirënjohjen më të lartë vatrave universitare të dijes, institucioneve akademike që krijuan mundësinë për shkollimin e të rinjve tanë, për ta ndërtuar një brez të edukuar, i cili do ta bart mbi supe zhvillimin e Kosovës. Kosova nuk është vetëm një tokë e lirë, është një shpirt i pathyeshëm. Kosova nuk është vetëm një histori e shkuar, është një e ardhme e ndritur. Lavdi përjetë atyre që ranë për liri! Nder dhe mirënjohje për të gjithë ju që i dhatë Kosovës dinjitet, forcë dhe të ardhme”, tha Osmani.

Të ngjashme