Osmani kujton 24 marsin: Sakrifica e familjeve Hajrizi dhe Berisha mbetet në ndërgjegjen e shtetit

Prishtinë | 24 Mar 2026 | 20:01 | Nga Ekonomia Online

Në përvjetorin e 24 marsit 1999, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar viktimat e kësaj dite, duke vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e familjeve Hajrizi dhe Berisha në Mitrovicë.

Ajo theksoi se kjo datë përfaqëson jo vetëm përkujtim, por edhe krenari për qëndresën e qytetarëve.

“Për ne që u rritëm në Mitrovicë, data e 24 marsit nuk është vetëm një datë përkujtimi. Është edhe kujtesa e forcës së jashtëzakonshme të familjes Hajrizi e familjes Berisha, por edhe e krenarisë që ky qytet i ka dhënë Kosovës burra e gra që nuk u përkulën kurrë.”

Duke rikujtuar ngjarjet e vitit 1999, Osmani nderoi viktimat e kësaj dite.

“Sot, në përvjetorin e 24 marsit 1999, kujtojmë me nderim Profesor Latif Berishën si dhe Agim Hajrizin, bashkë me nënën e tij dhe Ilirin e vogël, të vrarë nga regjimi gjenocidal i Serbisë në një nga ditët më vendimtare për Kosovën.”

Presidentja bëri të ditur se gjatë ditës janë zhvilluar aktivitete përkujtimore dhe vizita te familjarët e të rënëve.

“Në akademinë përkujtimore dhe në vizitat tek familjet e tyre, sot u përulëm me respekt para sakrificës së tyre, duke ripërtërirë zotimin se kujtimi për ta do të jetojë përherë në historinë dhe në ndërgjegjen e shtetit tonë.”

Të ngjashme