Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kujtuar ish-sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright, në katërvjetorin e ndarjes së saj nga jeta, duke e cilësuar si një ndër figurat më të rëndësishme në mbështetje të Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Osmani ka theksuar rolin e Albright në momentet më të vështira për vendin.
“Katër vjet nga ndarja nga jeta e Madeleine Albright, një kampione e madhe e lirisë dhe një mike e vërtetë e Kosovës,” ka shkruar Osmani.
Ajo ka shtuar se në kohën kur Kosovës i nevojiteshin më shumë mbështetës, Albright zgjodhi të veprojë.
“Kur Kosovës i duheshin më së shumti miqtë, ajo zgjodhi udhëheqjen mbi heshtjen dhe drejtësinë mbi indiferencën,” theksoi presidentja.
Sipas Osmanit, trashëgimia e saj vazhdon të jetojë përmes brezave të rinj në vend.
“Sot, brezat që rriten në liri në Kosovë e çojnë përpara trashëgiminë që ajo ndihmoi ta sigurojë,” thuhet në reagim.
Presidentja ka theksuar se populli i Kosovës do ta kujtojë gjithmonë me respekt.
“Populli i Kosovës do ta kujtojë gjithmonë me mirënjohje të thellë,” përfundon postimi i saj.