Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut këtë të enjte do ta mbajnë mbledhjen e parë të përbashkët.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se kjo mbledhje është e një rëndësie të veçantë meqë është edhe pikënisje për mbledhjet e ardhshme mes dy shteteve fqinje, njofton Klan Kosova.
“Këto mbledhje zakonisht janë platforma të rëndësishme për të kaluar raportet bilaterale në një dinamikë krejt tjetër. Në këtë mbledhje pritet të shkruhet mbi 10 marrëveshje, memorandume bashkëpunimi me tema të ndryshme, nga ato të përgjithshmet politike deri në ato infrastrukturore. Për shembull, memorandumi për studimin e fizibilitetit të rrugës Tetovë-Prizren, ose për pikat e përbashkëta kufitare, ose për lidhjen në Elez Han, në pikën kufitare në Bllacë, ose marrëveshja për bashkëpunim ndërmjet Forcave të Armatosura të Kosovës dhe Armatës së Maqedonisë së Veriut, bashkëpunimi e diasporës, bashkëpunimi në luftën kundër ekstremizmit, janë këto marrëveshje të rëndësishme që do të hapin një kapitull të ri të bashkëpunimit bilateral, duke e parë nga një plan i përgjithshëm dhe pastaj duke u zhytur në projekte konkrete që do të bëjnë jetën e njerëzve në dy anët e kufirit më të mirë dhe bashkëpunimin e përgjithshëm politik, ekonomik dhe sektorial do ta bëjnë më të frytshëm”, tha ai në Info Magazine të Klan Kosovës.
Osmani tha se e rëndësishme është që vullneti ekziston nga të dyja palët për bashkërendim, duke shtuar se ka pasë edhe më herët tentime për të mbajtur mbledhje të dy qeverive, por situata dinamike politike në të dyja vendet ka ndikuar.
Kryediplomati maqedonas tha se lidhja infrastrukturore është baza për gjithçka, si për ekonomi më të volitshme dhe dinamike.
Po ashtu, Osmani tha se është i kënaqur edhe me dinamikën e implementimit të marrëveshjeve bilaterale mes Prishtinës dhe Shkupit, si dy kryeqytetet më të afërta në rajon.