Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Nju Jork ka zhvilluar një numër të madh takimesh me liderë shtetesh të ndryshme, përfshirë edhe një numër të lartë të zyrtarëve të lartë amerikanë.
Osmani në profilin e saj zyrtar ka publikuar fotografitë nga pritja e organizuar nga Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, pritje në të cilën Osmani thotë se ka pasur mundësinë të takojë miq e aleatë të shumtë të Kosovës me të cilët ka biseduar për thellimin e raporteve.
“Në pritjen e organizuar nga Presidenti Biden, patëm nderin të takojmë miq e aleatë të shumtë Kosovës me të cilët diskutuam për thellimin e raporteve tona”, ka shkruar Osmani.
Në fotografitë e publikuara nga shefja e shtetit spikasin bashkëbisedimet me Sekretarin Amerikan, Antony Blinken dhe Ambasadoren e SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield.
Përveç Blinken dhe Thomas-Greenfield, Osmani shihet që ka pasur një shkëmbim edhe me Nënsekretaren e SHBA-së, Viktoria Nuland.
Presidentja Osmani në këtë pritje ka takuar edhe përfaqësues të shteteve afrikane të cilat vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës.