Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Presidentit amerikan Donald Trump, ndodhet në Davos për Bordin e Paqes.
Nga atje, Osmani ka publikuar pamje këtë mëngjes.
“Mirëmëngjes nga Davos, ku jemi me ftesë të Presidentit Trump, në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes”, ka shkruar Osmani.
Ftesa u publikua dje nga Presidenca e Kosovës.
“Jam thellësisht e nderuar nga ftesa personale e Presidentit Trump për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Bordin e Paqes, si anëtare themeluese, krah për krah me SHBA-të në misionin për një botë më të sigurt. Lidershipi i guximshëm nuk flet thjesht për paqe, ai e ndërton atë. Pikërisht këtë po e bën Presidenti Trump nëpërmjet kësaj iniciative historike. Ashtu si Amerika që solli paqe në Kosovë, sot Kosova qëndron si aleat i palëkundur i saj për ta çuar paqen më tej. Historia i mban mend ata që bëjnë hapa të guximshëm në ndërtimin e paqes – dhe ne jemi gati”, ka thënë Osmani.
Ftesë për të qenë pjesë e Bordit të Paqes ka edhe Shqipëria.