Presidentja Vjosa Osmani në ditën e parë që pranoi zyrtarisht këtë post shkoi edhe në Prekaz për të bërë homazhe te Kompleksi Memorial “Adem Jashari”.
Ajo ka thënë se edhe nëse shkohet çdo ditë në këtë vend nuk mjafton për të nderuar sakrificën e familjes Jashari që u kthye në simbolikën më të madhe të trimërisë, sakrificës dhe vetëmohimit për atdheun, njofton Klan Kosova.
“Sakrifica e familjes Jashari qëndron në themelet e lirisë tonë dhe si e tillë duhet jo vetëm të kujtohet, por ta përcjellim brez pas brezi dhe të mësohet nga fëmijët tanë, e fëmijët e fëmijëve tanë që të mësohet se ishe pikërisht këtu ku u pagua çmimi më i lartë për lirinë që e gëzojmë. Prandaj, edhe kujtimi i tyre është shndërruar në përjetësi, në udhërrëfyesin e dritën më të rëndësishme në hapat që ne i bëjmë përpara për ta shtyrë shtetin tonë të dashur drejt sukseseve dhe nderimi më i madh që mund t’ia bëjmë të gjithë heronjve dhe atyre që ranë do të jetë nëse punojmë mirë, drejt dhe ndershëm për qytetarët tanë, për ne që i mbijetuam tmerrit dhe gjenocidit të shkaktuar nga shteti serb”.
Osmanin e ka pritur kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, i cili i uroi sukses dhe shëndet në postin që ka marrë.
“E dimë që vendi ynë ka shumë sfida dhe vështirësi, uroj të ketë unitet mes gjithë spektrit politik”, tha Jashari.
Presidenten e re e uruan edhe të pranishmit që ishin në këtë kompleks derisa fëmijët kërkuan edhe fotografi me të.