Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për nder të 24 Majit – Ditës së Presidentit, ka vizituar Shtëpinë e Pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova”, ku së bashku me familjen e ish-presidentit historik, ka marrë pjesë në përurimin e librit “Liria si imanencë njerëzore” – (Fjalime të Presidentit Rugova, 1976-2005).
Osmani ka thënë se kjo ditë e vendosur nga presidenti historik, Ibrahim Rugova, është ditë e simbolikës shtetërore në Republikën tonë, raporton Ekonomia Online.
Libri me autor Munish Hyseni është botuar nga Biblioteka Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”.
Presidentja Osmani, në një fjalë rasti, ka kujtuar si në kohën e rezistencës dhe organizimit paralel para lufte, në këtë shtëpi e cila njihej si e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Rugova mbante konferenca të rregullta çdo të premte, pikërisht në orën 12:00.
“Ora 12 në Shtëpinë e Pavarësisë, apo në shtëpinë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, si njihej paralufte, është një kujtesë historike për të gjithë ne, sepse po në këtë orë, çdo të premte, arkitekti i pavarësisë së Kosovës, presidenti historik, apo si njihej, Dr. Ibrahim Rugova, me konferencat e tij të përjavshme për shtyp, sensibilizoi për vite me radhë opinionin ndërkombëtar, për ngjarjet ne Kosovë”, tha Osmani.
Presidentja shtoi se 24 maji, Dita e Presidentit, është vendosur nga vetë presidenti historik, Ibrahim Rugova dhe është një ditë e simbolikës shtetërore në Republikën tonë dhe se janë mbledhur, sot këtu, në Shtëpinë e Pavarësisë, për të promovuar librin “Liria si imanencë njerëzore”, e autorit Munish Hyseni, projekt i bibliotekës presidenciale Ibrahim Rugova që përmbledh fjalimet e tij të zgjedhura dhe të sistemuara nga Munish Hyseni.
Më herët, Osmani ka bërë nderime edhe te shtatorja e Rugovës, e cila qëndron afër ndërtesës së Kuvendit dhe Presidencës.
Osmani përkujtoi se 24 maji lidhet me ditën kur Ibrahim Rugova u zgjodh president i Republikës së Kosovës, më 24 maj të vitit 1992, në zgjedhjet e para demokratike të mbajtura nën okupim.