Kandidatja e LDK-së për Kryeministre,Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në tubimin e kësaj partie në shkollën “Ismail Qemajli” në Prishtinë në Degën e Tretë të LDK-së, raporton Ekonomia Online.
Osmani tha se paratë e asfaltit dhe përqindjet e korrupsionit nga tenderët, gjatë mandatit të saj qeverisës do të investohen në arsim, shëndetësi dhe perspektivë për të rinjtë tanë.
Osmani përsëriti para të pranishmëve se disa arsye që bën që ajo të kandidojë për kryeministre ishin ikja e të rinjve dhe mashtrimet e partive të tjera.
“Qindra miliona të buxhetit i kanë shpenzuar në asfalt dhe tenderë korruptivë, ndërsa shëndetësia, arsimi, rinia dhe pensionistët kanë mbetur në gjendje të mjerueshme. Kjo praktikë korruptive do të marrë fund më 6 tetor me fitoren tonë në zgjedhje”, tha Vjosa Osmani.
“Çka ofrojnë të tjerët është një mashtrim, me parulla thonë se do ta luftojnë korrupsionin por vet janë sinonim i korrupsionit. Mua dhe kolegëve çka na ka shty me i hy kësaj gare është ikja e të rinjve zbrazja e vendit, ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe të shohim se si një grup i rrezikshëm, por mbi të gjitha njerëz që janë në gjendje ta shesin Kosovën për me shpëtu lëkurën e vet është boll ma. Kur ta shihni atë listë të pastër si loti do të shihni njerëzit më të mirë të këtij vendi janë si ju sepse ne jemi si ju, nuk jemi njerëz që bëhemi milioner brenda natës”, tha ajo.
Osmani theksoi se lista e LDK-së është e pastër si loti.
“Të jeni të bindur që lista jonë me të vërtetë është e pastër si loti dhe nuk kanë me mujt me na njollosë, LDK-në nuk mundet me e rrënu nëntoka. Kur ne bëhemi bashkë, nuk ka gjë që na ndalë, e kanë të kotë jemi duke qeshur me ta. Për disa që po ju pengon që po e përmendin rugovizmin, kjo domethënë me besu në shtetin tënd dhe me dashtë atë shtet dhe me punu me nder me atë shtet, jo me shkatërru atë shtet, jo me vjedh jo me ja nda territorin shtetit, ju keni me i parandalu ato plane me 6 tetor”
“Ka ardh koha me i ndal autostradat se ma shumë po vjedhet dhe me i kthy sytë kah arsimi dhe shëndetësia. Ju zotohem asnjë cent i juaji nuk do të keqpërdoret për mua kurrë nuk do të ketë rëndësi çfarë prejardhje ka personi qe korruptohet apo çfarëdo partie për mua nuk ka drejtësi selektive, prandaj kam kërkuar me ju hetu pasuria të gjithëve duke filluar nga e imja”.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, para simpatizantëve u shpreh se Prishtinën dhe Kosovën nuk mund ta fitoj askush. Ai i akuzoi partitë e tjera se po mundohen ta përçajnë LDK-në, por që nuk do t’ia dalin.
“Prishtinën dhe Kosovën nuk mund ta fitoj askush prej LDK-së. Paniku që i ka kap rivalët e LDK-së, rivalët e Vjosës. Na besimin që ja kemi dhënë Vjosës nuk e thyejmë dot, le të lëshojnë rrena, mos u besoni atyre. Besoni Vjosës, s’kemi çka me mendu a bën a s’bën, në gusht e kemi vendos që me u ba kryeministre veç edhe dy dit kanë mbet ta qesim në breg, por jo duke prit dhe duke bë sehire, na jemi të ndershëm, e kanë spërkat me gjak tonin, me goditje tinëzare”.
Haziri tha se LDK-ja nuk shantazhohet dhe pas dy ditëve do ta çlirojmë vendin.
“Hafijet dhe frikacakët me goditje të ulëta po synojnë me na përça. Kot e kanë sepse besimin që ia kemi falë Vjosës nuk e thyejmë. Mos ju besoni as ju qytetarë të nderuar. Veç edhe dy ditë kanë mbet dhe ta shohim se si funksionojmë ne. Turpi është i tyre, le ta mbajnë”, tha Haziri, raporton EO.
Kryetari i Degës së Tretë të LDK-së, Hazir Borovci, tha se nuk ka kush që e ndal fitoren e degës së presidentit Rugova.
“S’ka as shi as breshër as fortunë që i ndal anëtarët e degës së presidentit Rugova, për fitoren e LDK-së dhe të Vjosa Osmanit”, tha ai, raporton EO.