Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka deklaruar se një draft i Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili është publikuar dje, është “fake news”.
Në një konferencë për medie, Osmani mohoi se ndonjë draft i statutit iu është dorëzuar institucioneve të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Është ‘fake news’. Nuk është e vërtetë që ekziston një draft gjerman që i është dorëzuar Republikës së Kosovës e as nuk do të ketë. Ata nuk thonë vetëm themelojeni Asociacionin, por edhe e përmendim se asnjë veprim i tillë nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”.
Sipas saj, edhe sekretari amerikan, Blinken, e ka rikonfirmuar se nga Kosova nuk do të kërkohet asgjë që do të bjerë ndesh me Kushtetutën e Kosovë.
Ajo ka thënë se krahas kësaj, çdo marrëveshje që nuk është në frymën Kushtetuese nuk do ta nënshkruajë, raporton EO.
“Presidenca vetëm dekreton marrëveshjet ndërkombëtare. Ajo që mund ta rikonfirmoj është se do të nënshkruaj vetëm marrëveshje që janë në përputhje me Gjykatën Kushtetuese”, tha tutje Osmani.
Ajo ka folur edhe për iniciativën franko-gjermane, e cila ka për synim që ta intensifikojë dialogun Kosovë-Serbi.
“Sa i përket iniciativës franko-gjermane, ka për qëllim intensifikimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të ketë takime në javën e ardhshme ku ekipi i Macron e Shcholz do të sqarojnë në detaje”.
“Deri tani që qëllimi i partnerëve tanë është i mirë dhe që procesi të përfundojë sa më parë, dhe askush nuk ka kërkuar që të largohet njohja reciproke dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që të preket integriteti territorial dhe sovraniteti”, tha ajo.
Sa i përket kërkesës së të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, për shtyrjen e vendimit për targat për 10 muaj, ajo ka thënë se kjo është çështje e sundimit të ligjit.
“Ekziston një grup i vogël i serbëve që akoma nuk e kanë bë këtë ndryshim dhe nuk e kanë bërë sepse kërcënohen nga banda kriminale që paguhen nga Vuçiqi. Shtyrja e vazhdueshme nënkupton se po tolerohen këto kërcënime të bandave në raport me serbët lokalë”.
“Është çështje që ka të bëjë me mbrojtjen e serbëve lokalë ndaj këtyre bandave”, ka thënë Osmani, duke lënë të nënkuptohet se Escobar nuk e di mirë situatën në veri.
LEXONI EDHE: