Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, është pritur me ceremoni shtetërore nga presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Pritja është organizuar në Pallatin e Brigadave. Osmani e Meta do të kenë një konferencë të përbashkët për medie në orën 17:00.
Ndërsa të enjten më 17 dhjetor, Osmani do të takohet me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe do të vendosë kurorë lulesh te Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Po kështu, presidentja në detyrë do të mbajë fjalim në kuvend.
Ndërsa në orën 16:00, Osmani do të takohet me kryeministrin, Edi Rama.
Ditën e fundit të vizitës, të premten në orën 10:00 ajo do të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Ndërkaq, në orën 11:00, në Bashkinë e Tiranës do të takohet me kryebashkiakun Erion Veliaj, ku do të mbahet edhe ceremonia e dorëzimit të ‘Çelësit të Qytetit’.
Kurse, në orën 11:45 Osmani do të ketë takim me ish-kryeministrin, Sali Berisha.
Kjo është vizita e parë zyrtare e Osmanit që kur ushtron detyrën e presidentes së Kosovës.