Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me Presidentin e Emirateve, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, me të cilin thotë t’i ketë shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e tyre në fushën e shëndetësisë por edhe për projeket e ardhshme, sic është edhe ai i spitalit të gjinekologjisë.
“E nderuar me mikpritjen dhe diskutimet gjithnjë përmbajtësore me Presidentin e Emirateve, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, të cilin e falënderova për lidershipin e tij vizionar dhe për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, që nga ditët më të vështira e deri më sot. Përgjatë viteve, kemi hapur një epokë të re të partneritetit ndërmjet dy vendeve tona, nga liberalizimi i vizave e deri te kontributet e çmuara të Emirateve në fusha konkrete të zhvillimit. Në veçanti, shpreha mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e Emirateve në fushën e shëndetësisë, si dhe për vijimin me projektin e rëndësishëm të ndërtimit të spitalit të ri të gjinekologjisë, i mbështetur në dakordimin tonë të mëhershëm. Po ashtu, e vlerësoj lart mirëkuptimin e plotë dhe mbështetjen e Presidentit për projektet e reja në fushën e shëndetësisë dhe në fusha të tjera zhvillimore që i prezantuam dje”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka shkruar edhe se “Kosova është e bekuar me mbështetjen e vazhdueshme të Presidentit Mohamed bin Zayed dhe të të gjithë popullit të Emirateve”.





