Presidenti të zgjidhet nga populli, Osmani kërkon ndryshime kushtetuese

Prishtinë | 05 Mar 2026 | 16:35 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese, të cilat propozojnë që presidenti/ja të zgjidhet direkt me votë nga populli.

Krejt kjo, sipas njoftimit të presidencës, “duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e presidentes/it”.

Këto amendamente kanë pritur që prej vitit 2011.

“ZGJEDHJE TË DREJTPËRDREJTA PËR PRESIDENT! Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011. I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese. Tash e tutje, le të flasë populli!” ka shkruar ajo në Facebook.

Një ndryshim i tillë kërkon dy të tretat e votave të deputetëve, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga komunitetet.

Lëvizja Vetëvendosje e ka mbështetur këtë nismë.

Shefja e grupit parlamentar, Arbërie Nagavci, si dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, përmes postimeve në Facebook kanë shkruar se një ndryshim i tillë “do të kontribuonte në forcimin e stabilitetit institucional dhe në rritjen e legjitimitetit demokratik të institucionit të Presidentit”.

Të ngjashme