Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga deputetet Donika Kadaj Bujupi dhe Mimoza Kusari Lila, priti sot në takim përfaqësuesit e prodhuesve dhe ofruesve të shërbimeve vendore.
Qëllimi i këtij takimi ishte që të diskutohet mbi sfidat me të cilat janë duke u ballafaquar bizneset kosovare, si dhe të identifikohen mundësitë, instrumentet dhe politikat për t’i mbështetur ata në mënyrë të qëndrueshme
Kryetarja Osmani tha se rimëkëmbja ekonomike është e plotë vetëm atëherë kur identifikohen instrumentet e duhura për të mbështetur prodhuesit dhe ofruesit e shërbimeve vendore.
“Kur aktiviteti i tyre është stabil, po aq stabile është edhe ekonomia, ngaqë kjo përkthehet në vende të reja të punës, në vende të ruajtura të punës si dhe në zgjerim të aktivitetit biznesor që përfundimisht mund të rezultojë në eksport drejt vendeve të rajonit dhe të BE-së”, ka thënë zonja Osmani.
Nga ana e prodhuesve dhe ofruesve të shërbimeve vendore u përmend fakti se pandemia i ka dëmtuar rëndë bizneset kosovare me humbje financiare dhe në fuqi punëtore. Ndaj ndihma ndaj bizneseve u tha se duhet të jetë e menjëhershme dhe prioritare në kuadër të pakos së rimëkëmbjes ekonomike.
Ditëve në vazhdim, përfaqësuesit e prodhuesve dhe ofruesve të shërbimeve vendore do të takohen edhe me grupet parlamentare për t`i prezantuar kërkesat e tyre.