Deputetja më e votuar e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani para fillimit të procesit të Kuvendit Zgjedhor ka deklaruar se pret një proces të qetë dhe demokratik, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se nuk do t’i plotësohen qejfet atyre që duan ta shohin LDK-në të përçarë.
Osmani ka sqaruar se “Statuti lejon që të propozohen edhe kandidatura të tjera”.
E pyetur se a do të jetë kandidate e mundshme e partisë për kryeministre në zgjedhjet e ardhshme, ajo ka thënë se nuk do të kërkojë asnjë pozitë.
“Vendimet për Qeverinë e ardhshme, do të ndërmerren kur të zgjedhën strukturat e partisë”.
“Asnjëherë deri sot në këto dy dekada unë nuk i kam kërkuar dikujt në LDK apo jashtë saj ndonjë pozitë dhe nuk do ta bëjë këtë as tash e tutje. Partia ka nevojë për stabilitet dhe në zgjedhje duhet të fitojmë”.
“Kryesia ka të drejtë që të propozojë kandidatë dhe sot do të prezantohen edhe kandidatura të tjera dhe ne menjëherë mbas këtij kuvendi duhet të fillojmë menjëherë me ndryshimet statuale, që statuti të lejojë një frymë demokratike dhe një garë më të madhe”.