Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot takoi shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, nga i cili pranoi urimet e tij për detyrën e re në krye të Kuvendit.
Me këtë rast, Osmani i dëshiroi mirëseardhje shefit të ri të EULEX-it, duke garantuar bashkëpunim për çështje të cilat janë në përgjegjësi të Kuvendit dhe EULEX-it.
Kryetarja e Kuvendit, Osmani, theksoi se forcimi i sundimit të ligjit, si parakusht për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie, do të jetë një ndër prioritetet e institucioneve të Kosovës.
Ajo e ritheksoi qëndrimin e saj se fokusi i institucioneve të vendit do të jetë i orientuar kryesisht drejt zhvillimit të kapitalit njerëzor.
Në anën tjetër, Wigemark u pajtua plotësisht që sundimi i ligjit duhet të jetë prioritet në Kosovë.
Duke përmendur metodologjinë e re të zgjerimit të Komisionit Europian, e cila e vendos sundimin e ligjit si element themelor për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, Wigemark shprehu vullnetin për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it në funksion të këtij qëllimi.