Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka uruar presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani i ka uruar mbarësi Bidenit në postin e presidentit të SHBA-ve, duke thënë se amerikanët kanë bërë zgjedhjen e duhur.
“Në krye të shtetit tonë aleat, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej sot është miku i Kosovës, presidenti Joe Biden.
Në cilësinë e u.d. Presidentes, i uroj mbarësi në postin e presidentit të SHBA-ve, me besimin e fuqishëm se amerikanët kanë bërë zgjedhjen e duhur dhe se demokracia e këtij shteti do të vazhdojë të jetë referencë për gjithë globin.
Amerika është sinonim i demokracisë dhe promovimit të vlerave. Raportet e shkëlqyeshme të Kosovës me SHBA-të, janë jo vetëm miqësore, por ekzistenciale.
Zoti e bekoftë miqësinë e përhershme me Amerikën”, ka shkruar Osmani.